Becchetti i bllokon “Albcontrol” 135 mln euro për Arbitrazhin, nuk shlyhet as huaja 74 mln euro

Shuma që Albcontrol, kompania me pronësi shtetërore, që menaxhon trafikun ajror, nuk ka arritur të arkëtojë për shkak të bllokimit të llogarive të saj në Eurocontrol, si rrjedhojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, ka arritur në 13.5 miliardë lekë në fund të vitit 2024, ose 135 milionë euro sipas bilancit zyrtar të kompanisë.
Përfshirë dhe interesat bankare në pritje, shuma arrin në 13.7 miliardë lekë.
“Gjatë vitit 2024 ashtu si edhe gjatë vitit 2023, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për bllokimin e të ardhurave nga shërbimet en route dhe terminal charge, të ofruara nga Albcontrol”, thuhet në përshkrimin e pasqyrave financiare.
Shuma që Albcontrol nuk arrin të arkëtojë po rritet vit pas viti. Nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020, arriti në 2.9 miliardë lekë në 2021, u rrit në 6.7 miliardë lekë në vitin 2022 për të arritur në 10.5 miliardë lekë në 2023, dhe 13.5 miliardë lekë në 2024-n.
Këto të ardhura, Albcontrol duhet t’i kishte marrë nga aktiviteti normal i saj, uljengritje e mbikalime për periudhën 2021-2024 nga Eurocontrol, organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian, me seli në Bruksel.