Lidhje


Sulm i paprecedentë rus ndaj Kievit/ Goditen për herë të parë ndërtesa qeveritare

Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus, një nga ndërtesat kryesore të qeverisë në qendër të Kievit është goditur drejtpërdrejt nga një sulm ajror rus gjatë natës.

 

Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, konfirmoi përmes një postimi në Facebook se godina qeveritare ka pësuar dëme të konsiderueshme në çati dhe në katet e sipërme për shkak të sulmit, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të shuar flakët.

 

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se ndërtesa ndodhet në distriktin qendror Pecherskyi dhe se zjarri u shkaktua nga një sulm i dyshuar me dron. Ai shtoi se zjarrfikësit janë ende në vendngjarje.

 

Përveç ndërtesës së qeverisë, janë goditur edhe një magazinë, një ndërtesë banimi 16-katëshe dhe një tjetër godinë 4-katëshe në zona të tjera të kryeqytetit.

 

Ky është sulmi i parë i dokumentuar mbi ndërtesën e kabinetit qeveritar në Kiev, i cili shënon një përshkallëzim të ri në strategjinë e sulmeve ruse.

 

Forcat Ajrore të Ukrainës raportojnë se gjatë këtij sulmi janë lëshuar mbi 800 dronë dhe raketa, një rekord i ri i sulmeve gjatë natës. Nga këto, 9 raketa dhe 56 dronë goditën 37 lokacione të ndryshme në vend, ndërsa mbetjet e pajisjeve të rrëzuara ranë në 8 zona të ndryshme.

 

Svyrydenko e cilësoi këtë si një tjetër akt terrori të përditshëm ndaj popullit ukrainas, duke theksuar:

 

“Armiku po terrorizon popullin tonë çdo ditë, në çdo cep të vendit.”

 

Gazetarët në terren raportojnë për një re të madhe tymi që u ngrit pas Maidan-it (Sheshi i Pavarësisë) herët në mëngjes, e ndjekur nga dy raketa ruse që fluturonin me shpejtësi të madhe para se të dëgjohej një shpërthim i fuqishëm.

 

Zakonisht, qendra e Kievit është e mbrojtur mirë nga mbrojtja ajrore, por kësaj here duket se ajo është tejmbushur dhe kapërcyer nga numri i madh i sulmeve.

 

Ndërkohë, tensionet ndërkombëtare po rriten. Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë çdo propozim për vendosjen e një “forcë garancie sigurie” nga Perëndimi në Ukrainë në rast të një armëpushimi./lapsi

XS
SM
MD
LG