Lidhje


Kancelari gjerman kërcënon me bojkot nëse Izraeli përjashtohet nga “Eurovision 2026”

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se vendi i tij mund të bojkotojë Festivalin Europian të Këngës “Eurovision 2026” nëse Izraeli përjashtohet nga gara.

Gjermania është një nga “Të Pestët e Mëdhenj” të Eurovisionit, së bashku me Francën, Italinë, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar, vendet që kontribuojnë më shumë financiarisht në organizimin e festivalit.

 

Ndërkohë, Franca ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa Spanja është bërë shteti i parë i “Big Five” që ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga Eurovision 2026 nëse Izraeli nuk përjashtohet.

Edhe televizionet publike të Holandës, Irlandës, Islandës dhe Sllovenisë kanë kërcënuar se do të tërhiqen nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë. Në anën tjetër, televizioni danez DR ka deklaruar se nuk do të bojkotojë garën, por ka vendosur kushte të reja për pjesëmarrjen e tij.

 

Përballë presionit në rritje, Bashkimi Europian i Radiotelevizioneve (EBU) njoftoi muajin e kaluar se në nëntor do të zhvillohet një votim online ku anëtarët do të vendosin nëse televizioni izraelit KAN do të lejohet të marrë pjesë në Eurovision 2026.

Kjo do të jetë hera e parë që të gjitha televizionet anëtare do të marrin pjesë në një Asamble të Jashtëzakonshme Online, ku çështja e Izraelit do të jetë e vetmja pikë në rendin e ditës.

 

Megjithëse Eurovision zyrtarisht pretendon të jetë apolitik, EBU përjashtoi Rusinë nga gara pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar të marrë pjesë, pavarësisht kritikave ndërkombëtare për veprimet e tij në Gaza. Edhe gjatë garave të vitit 2024 në Suedi dhe 2025 në Zvicër u mbajtën protesta të shumta pro-Palestinë.

Më shumë se 70 ish-pjesëmarrës të Eurovisionit kanë nënshkruar një letër të hapur që kërkon përjashtimin e Izraelit dhe televizionit KAN nga edicioni i ardhshëm, ndërsa fituesi i vitit të kaluar, këngëtari austriak JJ, ka shprehur publikisht të njëjtin qëndrim.

 

Pas njoftimit për votimin në nëntor, televizioni izraelit KAN deklaroi se shpreson që Eurovisioni të ruajë karakterin e tij kulturor dhe jopolitik, duke paralajmëruar se përjashtimi i Izraelit “mund të ketë pasoja të gjera”, pa dhënë detaje të tjera.

XS
SM
MD
LG