Peshkopi palestinez: Sulmet izraelite kundër të krishterëve po rriten
Sipas një peshkopi palestinez, sulmet izraelite kundër klerikëve të krishterë në Kudsin Lindor të pushtuar janë në rritje. Peshkopi i Kishës Ungjillore Luterane, Munib Younan, për Anadolu tha se “ka sulme në rritje kundër të krishterëve dhe vendeve të shenjta të krishtera nga ekstremistët izraelitë”. Peshkopi palestinez tha se qeveria izraelite nuk është serioze në sjelljen para përgjegjësisë të atyre që qëndrojnë pas sulmeve. “Nëse autorët nuk mbahen përgjegjës, ata do të vazhdojnë me sulmet e tyre. Por nëse një person ndëshkohet, kjo do të jetë një pengesë”, theksoi Younan.
Dje, policia izraelite arrestoi dy kolonë hebrenj pasi kishin pështyrë një klerik të krishterë në Kudsin Lindor të pushtuar.
Një video e publikuar nga mediat izraelite tregoi dy kolonë duke pështyrë dhe mallkuar një abat të krishterë në Qytetin e Vjetër të Kudsit.
Policia izraelite tha se dy kolonët u vendosën në arrest shtëpiak në pritje të hetimeve.
“Arrestimi shtëpiak nuk është një pengesë”, tha peshkopi, duke theksuar se policia izraelite nuk reagon ndaj sulmeve kundër klerikëve të krishterë.
“Sulmet e vazhdueshme janë një tregues i nxitjes që po ndodh në shkollat fetare hebreje”, shtoi ai.
Vitet e fundit ka pasur një rritje të sulmeve izraelite kundër klerikëve të krishterë në Kudis, qoftë nga kolonët që shpesh i pështyjnë murgjit dhe i sulmojnë verbalisht, qoftë nga vetë policia e cila është përfshirë në disa incidente të sulmeve fizike ndaj tyre.
Incidenti i fundit erdhi derisa tensionet vazhdojnë të rriten në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar mes ofensivës vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, e cila ka vrarë të paktën 27.478 palestinezë dhe ka plagosur 66.835 të tjerë.
Që atëherë, sipas shifrave palestineze, ushtria izraelite ka vrarë të paktën 381 palestinezë, ka plagosur 4.400 dhe ka arrestuar 6.512 të tjerë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Nga AnadoluA