Mijëra izraelitë presin në radhë në Ambasadën Portugeze për nënshtetësi
Mijëra persona në Izrael formuan radhë të gjata të shtunën para Ambasadës së Portugalisë në Tel Aviv për të aplikuar për nënshtetësi portugeze, sipas raportimit të faqes së lajmeve Times of Israel.
Izraelitët u rreshtuan që herët në mëngjes për të aplikuar. Dita e posaçme e ambasadës për takime fizike “kthim në ditët e vjetra”, e organizuar për ta kapërcyer mbingarkesën e sistemit të rezervimeve online, tërhoqi vëmendje të madhe.
Raporti tha se ata që qëndronin në një radhë që shtrihej nga hyrja e ambasadës deri në një zonë parkimi nëntokësore, po prisnin të dorëzonin aplikimin për nënshtetësi ose për t’i rinovuar pasaportat portugeze.
Nënshtetësia portugeze për izraelitët
Portugalia, përmes një ligji të miratuar në vitin 2015, u dha të drejtën për të aplikuar për nënshtetësi hebrenjve sefardikë që u përndoqën gjatë Inkuizicionit në shekullin e 16-të.
Por, për shkak të volumit të lartë të aplikimeve, qeveria portugeze njoftoi në vitin 2023 se ligji e kishte përmbushur qëllimin e tij dhe vendosi kritere më të kufizuara.
Vërehet se izraelitët kërkojnë nënshtetësinë portugeze për përfitime si lëvizja e lirë brenda vendeve të BE-së, kosto më të ulëta jetese, pranimi më i lehtë në universitetet evropiane dhe tarifa më të ulëta shkollimi.
Që nga nisja e luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza në tetor 2023, numri i izraelitëve që kërkojnë një pasaportë të dytë është rritur.
Dhjetëra mijëra izraelitë kanë lënë vendin, dhe interesimi për nënshtetësinë portugeze vazhdon të rritet./trt