Lidhje


Dhimbje e paharrueshme/ 1 vit nga tragjedia! Të mbijetuarit e tërmetit në Turqi luftojnë për të rindërtuar jetën

Këto pamje do të mbeten në memorien e të gjithëve mëngjesin e 6 shkurtit të vitit të kaluar në Turqi. Kryesisht pjesa jugore e vendit u godit nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 7.8 duke rrëzuar blloqe të tëra apartamentesh në disa qytete turke. Lëkundjet u ndjenë para lindjes së diellit në një mot të ftohte dhe u pasua nga mbi 500 paslëkundje të forta. Numri i të vdekurve arriti në mbi 50 mijë, ndërsa tërmeti la miliona të pastrehë dhe qindra mijëra të tjerë u plagosën. Në Turqi, rreth 2.4 milionë njerëz , duke përfshirë 660,000 fëmijë , u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në vendbanime të përkohshme duke jetuar jetonin në tenda dhe kontejnerë aq të ngushtë sa parkimi i një vendi. Një vit më pas, mbi 761,000 njerëz, duke përfshirë 205,000 fëmijë, nuk janë kthyer ende në shtëpi.

 

 

Fatkeqësia çoi në një operacion masiv ndërkombëtar shpëtimi dhe ndihme që përfshin dhjetëra vende dhe organizata. Në fillim, zonat më të goditura ishin të vështira për t’u arritur, duke i detyruar banorët të rrëmbenin çfarë mjetesh mundnin për të gërmuar nëpër rrënoja. Përpjekjet për shpëtimin në të dy vendet u penguan nga mungesa e fuqisë punëtore dhe pajisjeve. Dëmtimet në rrugë dhe aeroporte, si dhe moti i keq, penguan gjithashtu mbërritjen e ekipeve të shpëtimit dhe të ndihmës.

 

Por sot, çdo person ende vajton familjarët që humbën jetën në tërmetin më shkatërrimtar në historinë moderne të Turqisë. Abdullah Yanar mbolli lule përpara kontenjerit ku po strehohet së bashku me familjen e tij për ta bërë atë të ndihej më shumë si një shtëpi e vërtetë, e cila ka jetuar në këtë strehimore të përkohshme në Turqinë jugore që nga tërmeti shkatërrues i vitit të kaluar. Tërmeti vrau disa nga të afërmit e Yanar dhe dëmtoi banesën e tij, duke e detyruar atë dhe gruan, vajzën dhe djalin e tij të zhvendoseshin fillimisht në një tendë dhe më pas në një kontejner. Yanar, i cili është 38 vjeç dhe punon për autoritetin lokal, thotë se pavarësisht rindërtimit, do të duhet një kohë shumë e gjatë për të restauruar kryeqytetin historik të provincës Antakya.

 

Përballe qirave tepër të larta, ai nuk shpreson për një të ardhme të mirë për familjen e tij.

 

“Unë nuk kam asnjë shpresë nga kjo pikë e tutje. Nuk kam asnjë pritshmëri. Ne do të jetojmë kohën që na ka dhënë Zoti, nuk ka asgjë tjetër për të bërë. Ne nuk e shijojmë jetën fare.”

 

Një vit më vonë, ata që mbijetuan dhe mbeten në provincën Hatay ende jetojnë me frikë pasi lëkundje të vogla vijojnë.

 

“Jeta vazhdon, në një farë mënyre vazhdon. Edhe pse është e vështirë, ne po përpiqemi të jetojmë sipas mundësive tona. Sigurisht, është pak më ndryshe se më parë.”

 

Pjesa më e madhe e provincës u shemb nga tërmeti dhe shumë nga dy të tretat e banorëve të Hatay që qëndruan në provincë tani jetojnë në shtëpi me kontejnerë. Në tetor, familja e Yanar u transferua në një tjetër kontejner, i cili ka një dhomë të vogël ndenjeje me një kuzhinë të vogël, një dhomë gjumi dhe një banjë. Në të njëjtin qytet me kontejnerë, jetojnë Ali Riza dhe Sunay Gazaloglu, të cilët qëndrojnë ulur në një divan me vajzën e tyre, Ela. 9 vjeçarja ishte e vetmja nga tre vajzat e tyre që mbijetoi kur shtëpia e tyre u shemb një vit më parë. Ela luan me një arush pelushi të kuq pa thënë asnjë fjalë. Ajo ka frikë të hyjë në ndërtesa dhe nuk shkon në shkollën e saj 4-katëshe, e cila ka pësuar dëme të mëdha.

 

“Ne ishim një familje e lumtur para tërmetit. Unë kisha një punë dhe gjithçka ishte shumë mirë. Kisha tre vajza, dy prej tyre i humbëm në tërmet. Vajza jonë e vogël shpëtoi. Gjithçka është shumë e vështirë tani.


Tani për tani, familja e tij mbulon shpenzimet ditore në saj të financimit për të prekurit nga tërmeti nga Gjysmëhënës së Kuqe Turke.”

 

Banorët thonë se kontejnerët janë përgjithësisht mjaft të ngrohta gjatë natës. Banorët e tjerë të zhvendosur përfunduan në shtëpi të parafabrikuara që janë pak më të mëdha me dy dhoma gjumi dhe një dhomë ndenjjeje. Gulcan Yilmaz, 47 vjeç, një nënë e dy fëmijëve, e cila u shpëtua mrekullisht nga rrënojat e ndërtesës së saj 8 katëshe 5 ditë pas tërmetit.

 

“Nuk munda të lëvizja këmbët, nuk më kishin ngecur, vetëm krahu më ishte thyer. Nuk kishte dëmtime në këmbët e mia, por nga të ftohtit dhe palëvizshmëria, ato u bënë gangrenë dhe nuk i ndjeja më. Papritmas nën rrënoja kuptova se dora ime e thyer më ra në prehër. Në mënyrë të pashmangshme i thashë vetes ‘Më ra krahu, por nuk ka problem, Zoti do të më ndihmojë.”

 

Yilmaz më vonë u dërgua në provincën Adana me helikopter. Kur hapi sytë në një repart të terapisë intensive, pa se i ishin prerë këmbët pas gangrenës nga i ftohti. Që atëherë ajo është kthyer në Hatay për fizioterapi teksa ka vendosur edhe protezë në këmbët e saj. Që prej shtatorit të vitit të kaluar ajo u zhvendos në në lagjen Ekinci të qytetit Antakya.

 

“Sot falenderoj zotin që dola gjallë. Këtu jetoj që nga shtatori, kam kaluar një muaj e gjysmë në një tendë me vajzën e dajës, pastaj në një kontejner. Më pas kalova në një pallat. Në sytë e mi, kjo shtëpi është një pallat që kurr se kisha imagjinuar.”

 

Për të gjithë tërmeti vdekjeprurës i 6 shkurtit ishte tragjedia më e madhe, pas të cilës sipas tyre nuk mund të ringrihesh, teksa shikojnë nën këmbët e tyre rrënoja dhe shumë familjarë të cilët kanë humbur jetën. Në epiqendrën e Kahramanmaras, 18-vjeçarja e Meliha Havin Yagliyurt kishte ëndërruar të bëhej specialiste e zhvillimit të pediatrisë përpara tërmetit. Ajo humbi disa anëtarë të familjes së saj si dhe shtëpinë e saj. Sipas Meliha jeta tanimë është e vështirë, mes ekonomisë së dobët, por problemet janë shtuar edhe në aspektin mendor.

 

“Kam pasur shumë ëndrra para tërmetit. Për shembull, thosha se doja të punoja në zhvillimin e pediatrisë dhe po bëja plane, por pas tërmetit, humbëm gjithçka. Të gjithë po vuajmë mendërisht. Nuk kam më ëndrra. Nuk mund të them më do ta bëj këtë, do ta bëj atë.”

 

Pasi ka jetuar me familjen e saj në një kontejner për vitin e kaluar, ajo ende ka frikë nga rreziqet e mundshme të zhvendosjes në një njësi me qira në rast të një tërmeti tjetër.

 

“Ne mund të shkojmë në një njësi me qira, por sinqerisht, unë jam shumë i frikësuar sepse ka ende dridhje. Nëse një tërmet na godet ndërsa jemi në këtë kontejner, nuk do të ketë dëme për askënd. Unë gjithmonë kërkoj një vend për të vrapuar kur bie tërmet.”

 

Në vazhdën e katastrofës, qeveria e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan premtoi të rindërtojë 680,000 shtëpi në 11 provinca gjatë dy viteve, duke përfshirë rreth 250,000 në Hatay. Turqia u ka dorëzuar deri më tani çelësat 7 mijë banorëvë të parë që mbetën të pastrehë pas tërmetit shkatërrues të vitit të kaluar, një vit pas fatkeqësisë. Banka Botërore vlerësoi dëmin e shkaktuar në 34.2 miliardë dollarë në Turqi dhe 5.1 miliardë dollarë në Siri. Megjithatë, kostoja e rindërtimit dhe ndikimi në ekonomi ishte shumë më i madh të paktën 100 miliardë dollarë vetëm për Turqinë.

 

Nga Klantv

 
XS
SM
MD
LG