Lidhje


Turqia dhe Katari propozojnë një plan për ç.armatosjen e H.amasit, I.zraeli kundërshton

Turqia dhe Katari kanë paraqitur një propozim që synon një zgjidhje graduale dhe të qëndrueshme për çarmatosjen e Hamasit, duke e parë organizatën si pjesë të realitetit politik të Gazës dhe jo si një subjekt që mund të eliminohet brenda pak javësh. Sipas burimeve izraelite, plani i dy vendeve përfshin dorëzimin e armëve tek një Autoritet Palestinez që do të administrojë Gazën në të ardhmen, ose vendosjen e tyre nën mbikëqyrje ndërkombëtare – një qasje që shmang përshkallëzimin dhe synon krijimin e stabilitetit afatgjatë.

 

Izraeli e ka kundërshtuar fuqishëm këtë periudhë dyvjeçare tranzicioni, duke kërkuar një afat shumë më të shkurtër që kritikohet nga diplomatë rajonalë si jorealist dhe i papërputhshëm me kompleksitetin politik dhe shoqëror të Gazës. Burimet e njëjta izraelite pranojnë gjithashtu se Tel Avivi refuzon kategori pjesëmarrjen e forcave turke në çdo mision stabilizues, ndonëse Turqia është një nga vendet me ndikimin më të madh diplomatik mbi palët palestineze.

 

Ndërkohë, vlerësimet e shërbimeve izraelite pretendojnë se mbështetja për Hamasin ka rënë, por paralelisht pranojnë se organizata po përpiqet të rindërtojë strukturat e saj në terren në kushtet e një armëpushimi të brishtë dhe një boshllëku të theksuar të administrimit civil.

 

Zyrtarët izraelitë theksojnë nevojën për një strategji të pavarur për çarmatosje, duke mos pranuar nisma që, sipas tyre, janë “të buta” ndaj Hamasit. Por nga pala palestineze vjen një qëndrim tjetër: Hamasi deklaron se çarmatimi nuk është tabu dhe se armët e tij lidhen drejtpërdrejt me okupimin.

 

Lideri i Hamasit në Gazë, Khalil al-Hiyah, bëri të qartë se organizata është e gatshme t’ia dorëzojë armët një autoriteti shtetëror palestinez sapo të marrë fund pushtimi izraelit. Sipas tij, “armët e rezistencës ekzistojnë për shkak të agresionit; me përfundimin e tij, ato do të jenë në duart e shtetit”. Zyra e tij sqaroi se ai i referohej një shteti të ardhshëm palestinez, të pavarur dhe sovran – një objektiv i kahershëm i popullit palestinez.

XS
SM
MD
LG