Lidhje


Trump firmos ligjin: Stop korrupsionit në Ballkan, zgjedhje të lira

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka firmosur më 18 dhjetor kthimin në ligj të “Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare” (NDAA), i cili përfshin edhe angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

 

Në seksionin që i dedikohet rajonit, SHBA shpreh shqetësim të thellë për nivelin e lartë të korrupsionit, i cili sipas dokumentit vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik dhe politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Theksi vihet veçanërisht te korrupsioni i përhapur edhe mes drejtuesve të lartë politikë, si dhe te kontrolli autokratik që dëmton institucionet demokratike.

 

Një nga pikat kryesore të aktit është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për vitin 2026, SHBA parashikon operacione të posaçme për mbrojtjen e proceseve zgjedhore, goditjen e autoritarizmit dhe luftën kundër dezinformimit, që sipas dokumentit përhapet kryesisht në mjedise politike të polarizuara ose nën kontroll autokratik.

Po ashtu, ligji parashikon operacione kundër ndikimit të huaj, veçanërisht atij rus, si dhe masa për mbrojtjen e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. SHBA do të koordinohet ngushtë me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatë të tjerë, për vendosjen dhe harmonizimin e sanksioneve, me synim forcimin e vlerave demokratike në rajon.

 

Një tjetër çështje që zë vend të rëndësishëm në dokument është emigrimi masiv, sidomos i të rinjve. Sipas aktit, mungesa e mundësive ekonomike dhe politikat e dobëta zhvillimore kanë çuar në rënie të ndjeshme të popullsisë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ndikuar negativisht në strukturën demografike dhe perspektivën afatgjatë të rajonit.

SHBA shpreh gjithashtu shqetësim për ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor dhe angazhohet për të reduktuar çdo lloj varësie ekonomike apo të zinxhirëve të furnizimit nga Rusia, në përpjekje për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

 
 
 
XS
SM
MD
LG