“Valë e dytë sanksionesh ‘non grata’ në Shqipëri”, raporti i Kongresit amerikan” SHBA si udhërrëfyes për SPAK-un! Hetime për AKSHI-n, KESH dhe…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë Shqipërinë, ku sipas vlerësimeve konstatohet një nivel i lartë korrupsioni, shtrembërim i konkurrencës dhe ndërhyrje e krimit të organizuar, shpesh e lidhur me politikanë dhe zyrtarë të caktuar.
Në këtë kuadër, Kongresi amerikan paralajmëron një valë të dytë sanksionesh “Non Grata”, si edhe një proces vlerësimi 90-ditor në sektorë strategjikë që kanë qenë së fundmi në qendër të hetimeve ose dyshimeve për abuzime nga SPAK, përfshirë AKSHI-n, KESH-in, OST-në, si dhe institucione dhe ndërmarrje të tjera publike.
Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Kongresi i SHBA-së, evidenton problematikat kryesore në Shqipëri dhe përcakton rrugë konkrete për adresimin e tyre, me synimin e goditjes së korrupsionit dhe fenomeneve kriminale përpara zgjedhjeve të vitit 2027.
Në raport theksohet se, përmes identifikimit të përkrahësve ekonomikë të korrupsionit, figurave të biznesit dhe “ndërmjetësve”, SHBA po ofron një udhërrëfyes të qartë për SPAK-un, për të kaluar nga ngrirja e aseteve drejt arrestimeve në nivele të larta, me qëllim pastrimin e tregut nga konkurrenca e shtrembëruar.
Në fokus të veçantë do të jenë kontratat e AKSHI-t, sektori i energjisë, pastrimi i parave, krimi i organizuar, mbikëqyrja e KESH dhe OST, projektet luksoze bregdetare dhe ndërtimet shumëkatëshe, PPP-të, monitorimi i sistemit bankar, si dhe rishikimi i projekteve që kanë përfituar status “strategjik”.