Koreja e Veriut nis testimin e raketave hipersonike
Koreja e Veriut ka nisur testimin e raketave hipersonike këtë të diel, njoftoi të hënën media shtetërore KCNA, duke deklaruar se testimi kishte për qëllim vlerësimin e kapaciteteve ushtarake në funksion të parandalimit të luftës.
Sipas raportimeve zyrtare, lideri koreano-verior Kim Jong Un ka mbrojtur testin e raketave hipersonike, duke e cilësuar atë si një pjesë të domosdoshme të zhvillimit të vazhdueshëm të armëve bërthamore, me qëllim frenimin e çdo sulmi të mundshëm nga armiqtë.
Kim është shprehur se nuk ka “asgjë për të fshehur” dhe se ky zhvillim është i nevojshëm për shkak të asaj që ai e përshkroi si “kriza të fundit gjeopolitike dhe ngjarje të ndryshme ndërkombëtare”. Sipas mediave shtetërore, kjo deklaratë mund të lidhet edhe me zhvillimet e fundit ndërkombëtare, përfshirë ndërhyrjen amerikane në Venezuelë dhe kapjen e udhëheqësit të saj gjatë fundjavës.
Gazeta shtetërore Rodong Sinmun raportoi se disa raketa janë lëshuar nga zona Ryokpho, në jug të kryeqytetit Phenian, dhe kanë fluturuar rreth 1.000 kilometra, përpara se të godisnin objektiva në Detin Lindor (Deti i Japonisë).
Megjithatë, fotot e publikuara nuk tregojnë pamje të afërta të raketave apo mjeteve të lëshimit, çka e bën të vështirë krahasimin me raketat hipersonike të njohura më parë të Koresë së Veriut.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë, fluturimi i raketave ka zgjatur rreth 10 minuta, me një distancë maksimale prej rreth 950 kilometrash dhe një lartësi maksimale prej 50 kilometrash. Këto parametra janë të ngjashëm me një raketë balistike me rreze të mesme veprimi (IRBM) me karburant të ngurtë, e testuar në janar të vitit 2024, për të cilën media shtetërore koreano-veriore kishte pretenduar se ishte e pajisur me një koka luftarake manovruese.
Autoritetet ndërkombëtare nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me testin e fundit.