Alarmi/ ‘Së shpejti Groenlanda’! Një postim në 'X' nga njerëz afër Trump ndez tensionet mes SHBA dhe Danimarkës
Një postim në rrjetin X i Katie Miller, bashkëshortes së këshilltarit të presidentit të Donald Trump, ka rindezur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës. Vetëm disa orë pas operacionit amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro, Katie Miller publikoi një imazh të Groenlandës të mbuluar me flamurin amerikan, të shoqëruar me mbishkrimin “Së shpejti Greenlanda”. Postimi, pa shpjegime shtesë, nxiti reagim të menjëhershëm nga autoritetet daneze.
Ambasadori i Danimarkës në Uashington reagoi publikisht, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Danimarkës janë aleatë të ngushtë dhe se Groenlanda është pjesë e NATO-s. Ai nënvizoi se Kopenhaga pret respekt të plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës.
Katie Miller është një figurë e njohur në qarqet konservatore amerikane dhe bashkëshorte e Stephen Miller, një nga këshilltarët më me ndikim të Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Për këtë arsye, postimi është interpretuar si politikisht i ndjeshëm, pavarësisht se nuk ka pasur një qëndrim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë.
Groenlanda është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, me rëndësi të veçantë strategjike në Arktik, për shkak të pozicionit gjeografik, pranisë ushtarake amerikane dhe rolit në sigurinë e NATO-s. Qeveria daneze ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtjen e Arktikut dhe Atlantikut Verior.
Në vitin 2019, Donald Trump deklaroi publikisht interesin e SHBA-së për blerjen e Groenlandës, një ide që u refuzua kategorikisht nga Danimarka. Atëherë refuzimi çoi në përplasje diplomatike dhe në anulimin e një vizite zyrtare të Trump në Kopenhagë./tpz