Arrihet marrëveshja në Paris/ Britania dhe Franca do dërgojnë trupa në Ukrainë
Një marrëveshja midis Ukrainës dhe aleatëve të saj për “garanci të forta sigurie” u njoftua të martën në mbrëmje nga Presidenti francez Emmanuel Macron, pas përfundimit të takimit vendimtar të të ashtuquajturit “Koalicion i të gatshmëve” në Paris. Këto garanci pasqyrohen në “Deklaratën e Parisit”, e cila, sipas presidentit francez, përbën një hap të rëndësishëm drejt një paqeje të qëndrueshme.
“Sot, kemi bërë përparim të konsiderueshëm, siç pasqyrohet në Deklaratë, e cila ofron garanci të forta për një paqe të qëndrueshme. Deklarata e koalicionit të të gatshmëve njeh, për herë të parë, konvergjencën funksionale midis 35 vendeve të koalicionit, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po flasim për garanci vërtet të forta sigurie”, – tha Macron, duke sqaruar se teksti përcakton “përbërësit” kryesorë të këtyre garancive.
Britania e Madhe, Ukraina dhe Franca nënshkruan edhe një deklaratë qëllimi për të vendosur forca në Ukrainë, në rast të një marrëveshjeje paqeje.
“Forca Shumëkombëshe për Ukrainën” do të veprojë si një forcë mbrojtëse, duke synuar forcimin e garancive të sigurisë dhe mbështetjen e kthimit të vendit në paqe dhe stabilitet, duke kontribuar njëkohësisht në rindërtimin e forcave të armatosura ukrainase.
Deklarata hap rrugën për krijimin e bazës së nevojshme ligjore që do t’u lejojë forcave britanike dhe franceze të veprojnë në territorin ukrainas, me misionin e mbrojtjes së hapësirës ajrore dhe detare dhe forcimin e forcave të armatosura të vendit për të ardhmen.
Pas armëpushimit, parashikohet gjithashtu të krijohen “qendra” ushtarake në rajone të ndryshme të Ukrainës, të cilat do të përdoren për vendosjen e forcave dhe ruajtjen e sigurt të armëve dhe pajisjeve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përshkroi Deklaratën e Parisit si “shumë specifike “, duke vënë në dukje se Kievi tashmë e di se cilat vende do të marrin pjesë dhe çfarë do të kontribuojë secila. Ai tha gjithashtu se ka pasur përparim në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për monitorimin e paqes.
Nga ana e tij, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis aleatëve evropianë dhe amerikanë, duke vlerësuar se “jemi më afër paqes se kurrë më parë”. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se “hapat më të vështirë janë ende përpara nesh”, duke paraqitur disa detaje të deklaratës së qëllimit, përfshirë krijimin e “qendrave” ushtarake.
Vendimi i Britanisë për të dërguar trupa në Ukrainë “është një pjesë jetike e angazhimit tonë të palëkundur për të qëndruar pranë Ukrainës në planin afatgjatë”, tha kryeministri britanik.
Megjithatë, Starmer i bëri jehonë vlerësimit në qarqet evropiane se Presidenti rus Vladimir Putin “nuk është gati për paqe”. “Në javët e fundit kemi parë të kundërtën: sulme të reja të tmerrshme në Ukrainë, me vdekje dhe lëndime civile dhe ndërprerje të energjisë për miliona njerëz në ‘zemër’ të dimrit”, tha ai.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi, nga ana e tij, se vendi i tij do të merrte përgjegjësinë për sigurinë e Ukrainës dhe të gjithë kontinentit evropian, por ai nxitoi të sqaronte se trupat gjermane mund të bashkoheshin me një forcë shumëkombëshe, por jo brenda Ukrainës.
Ndërsa Steve Witkoff tha se “jemi të vendosur të bëjmë gjithçka në emër të Trump për të arritur paqen” në Ukrainë. Ai shtoi gjithashtu se “kemi përfunduar kryesisht diskutimin mbi garancitë e sigurisë”.
I dërguari i presidentit amerikan vuri në dukje gjithashtu se “jemi shumë afër përfundimit të marrëveshjes më të fuqishme për prosperitet që një vend që del nga lufta ka parë ndonjëherë”.
Presidenti francez Emmanuel Macron priti më shumë se 25 liderë ndërkombëtarë të martën pasdite për një takim të Aleancës së të Gatshmëve, aleatëve të Ukrainës./Lapsi