Lidhje


Apel urgjent për shpëtimin e jetës së grevistëve të urisë të Aksionit Palestinez

Ish-grevistët e urisë nga Irlanda, Palestina dhe Guantanamo, i bëjnë thirrje qeverisë së Britanisë së Madhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të shmangur më të keqen…

“Al Jazeera”

Ne, nënshkruesit e këtij peticioni, ju drejtohemi sot si të mbijetuar të dhunës shtetërore. Jemi një kolektiv ish-grevistësh urie nga Palestina, Irlanda dhe Gjiri i Guantanamos. Grevat e urisë përfundojnë vetëm kur pushteti ndërhyn ose kur grevistët vdesin.

Ne e kemi mësuar këtë përmes dhimbjes, dëmtimeve të përhershme dhe humbjes së shokëve tanë. Kemi parë se si sillen shtetet kur të burgosurit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të refuzojnë të vetmen të drejtë që u mbetet: ushqimin.

 

Prandaj, sot shkruajmë në solidaritet të palëkundur me grevistët e urisë që mbahen në burgjet britanike: Qesser Zuhrah, Amu Gib, Heba Muraisi, Kamran Ahmed, Teuta Hoxha, Jon Cink, Lewie Chiaramello dhe Muhammad Umer Khalid.

Ata janë të burgosur në paraburgim, pa gjyq dhe pa dënim. Për disa, paraburgimi ka zgjatur më shumë se një vit; për shumicën, gjykimi nuk pritet të ndodhë për dy vjet. Qeveria e Britanisë së Madhe ka zgjedhur të mbajë këta njerëz në izolim, nën censurë, duke kufizuar kontaktin me familjet, duke lejuar neglizhencën mjekësore dhe duke përdorur gjuhën e terrorit për t’i privuar nga simpatia publike dhe të drejtat themelore, përpara se të zhvillohet ndonjë gjyq.

Nuk mund të harrojmë se çfarë përfaqësojnë grevistët e urisë sot. Ata përfaqësojnë Palestinën. Ata përfaqësojnë çmontimin e infrastrukturës së armëve që vret palestinezët. Ata përfaqësojnë fundin e regjimit të aparteidit të zbatuar nga qeveria izraelite.

 

Ata solidarizohen me të burgosurit palestinezë dhe përfaqësojnë çlirimin e plotë të Palestinës, nga lumi në det.

Për vite me radhë, të burgosurit palestinezë i janë nënshtruar abuzimit sistematik në burgjet izraelite: tortura të dokumentuara, dhunë seksuale ekstreme, neglizhencë mjekësore dhe vdekje në paraburgim.

Megjithatë, qeveria britanike, përmes mbështetjes së saj të palëkundur për shtetin izraelit, vazhdon të jetë bashkëfajtore. Ajo zgjedh të armatosë Izraelin dhe të mbrojë zyrtarët e tij nga llogaridhënia, ndërsa trupat palestinezë - burra, gra dhe fëmijë - dhunohen dhe shkatërrohen në rrugë, në shtëpi dhe pas hekurave.

 

Të burgosurit politikë të Aksionit për Palestinën, filluan grevën e urisë sepse nuk kishin zgjidhje tjetër. Vendimi i shtetit për të përdorur etiketën “terrorist” si mjet shtypjeje sistematike i ka lënë ata pa alternativë, ndërsa kërkojnë të drejtat që u takojnë me ligj.

Ky nuk është një fenomen i ri. Fjala “terror” është përdorur prej kohësh për të prodhuar frikë, për të helmuar perceptimin publik dhe për të justifikuar shkeljen e përsëritur të të drejtave themelore të njeriut.

Pasi vendoset kjo etiketë, të drejtat bëhen të kushtëzuara, liria transaksionale dhe prezumimi i pafajësisë zhduket. Sundimi i ligjit, i pretenduar me krenari, përdhoset përballë një fjale të vetme, të përdorur nga politikanë të paskrupullt për të mbrojtur interesat e tyre.

 

Ndalimi i Veprimit për Palestinën nuk kishte të bënte me sigurinë, por me kontrollin. Shkeljet flagrante të ligjit nuk kishin për qëllim bindjen e publikut se kjo ishte një organizatë e rrezikshme, por dënimin e të burgosurve para gjyqit.

Kishte të bënte me izolimin e tyre, kriminalizimin e solidaritetit dhe dërgimin e një paralajmërimi për këdo që guxon të flasë kundër makinës së luftës izraelite. Asnjë gjyq i mbajtur nën atmosferën e frikës së prodhuar nga shteti nuk mund të konsiderohet i drejtë.

Asnjë juri e ekspozuar ndaj retorikës së terrorizmit për dekada nuk mund të veprojë pa paragjykime. Këta të burgosur u njollosën që në momentin e arrestimit, kur u përmend një “lidhje me terrorizmin”, pavarësisht se procedurat nuk kishin ndodhur ende.

 

Prandaj, ne kërkojmë:

1. Një takim urgjent ministror me familjet dhe përfaqësuesit ligjorë për të rënë dakord mbi veprimet që do të shpëtojnë jetën e grevistëve të urisë. Lirim i menjëhershëm me kusht për të burgosurit e Aksionit për Palestinë (të njohur si Filton 24) dhe për të gjithë grevistët e urisë.

2. Heqjen dorë nga akuzat për terrorizëm, të hartuara për të kriminalizuar mospajtimin.

3. Kushte gjykimi të drejta, pa narrativa të nxitura nga frika dhe pa ndërhyrje politike.

4. Qasje të menjëhershme në kujdes mjekësor të pavarur, të zgjedhur nga vetë të burgosurit.

5. Fund të censurës dhe kufizimeve mbi vizitat familjare.

 

Historia na kujton se Britania ka zgjedhur shpesh mosveprimin:

 -Në vitin 1981, ajo lejoi grevistët irlandezë të vdisnin në burgun Long Kesh.

 -Në vitet 2000, heshti për gjendjen e të burgosurve në Gjirin e Guantanamos.

 -Për dekada, ka zgjedhur të mos veprojë në Palestinë, duke pretenduar se përgjegjësia bie diku tjetër.

 

Por historia gjithmonë ka regjistruar të vërtetën. Gratë greviste që dikur u ngritën për të drejtën e votës, pavarësisht se u dhunuan dhe u etiketuan si terroriste, sot cilësohen si heroinat e lirisë.

Të burgosurit irlandezë në Long Kesh, pavarësisht shpifjeve, sot shihen si pjesë jetike e paqes së arritur me Marrëveshjen e të Premtes së Madhe. Të burgosurit e Guantanamos, pavarësisht trajtimit çnjerëzor dhe pranimit publik të torturës, u liruan kryesisht pa ndonjë dënim.

Ashtu siç u shfajësuan ata, historia do të shfajësojë edhe të burgosurit e Aksionit për Palestinën, të cilët kërkuan të ndalonin masakrën e njerëzve të pafajshëm në Gaza, përkundër dëshirave dhe interesave të qeverisë britanike.

Ne nuk jemi thjesht vëzhgues, por dëshmitarë të padrejtësisë që po ushtrohet sot nga duart e shtetit kundër njerëzve që historia pa dyshim do t’i justifikojë, ashtu siç ka bërë me grevistët e urisë që kanë vdekur më parë.

 

Nënshkruesit:

Shadi Zayed Saleh Odeh, Palestinë

Mahmoud Radëan, Palestinë

Othman Bilal, Palestinë

Mahmoud Sidqi Suleiman Radëan, Palestinë

Loay Odeh, Palestinë

Tommy McKearney, Irlandë

Laurence McKeoën, Irlandë

Tom McFeely, Irlandë

John Nixon, Irlandë

Mansoor Adayfi (GTMO441), Guantanamo

Lakhdar Boumediene, Guantanamo

Samir Naji Moqbel, Guantanamo

Moath Al-Alëi, Guantanamo

Khalid Qassim, Guantanamo

Ahmed Rabbani, Guantanamo

Sharqaëi Al-Hajj, Guantanamo

Saeed Sarim, Guantanamo

Mahmoud Al Mujahid, Guantanamo

Hussein Al-Marfadi, Guantanamo

Osama Abu Kabir, Guantanamo

Abdul Halim Siddiqui, Guantanamo

Ahmed Adnan Ahjam, Guantanamo

Abdel Malik Al Rahabi, Guantanamo

Ahmed Elrashidi, Guantanamo

 

XS
SM
MD
LG