Lidhje


Trump paralajmëron Britaninë: Lidhjet e ngushta biznesi me Kinën janë shumë të rrezikshme!

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar kundër forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Kinën, duke i cilësuar këto përpjekje si “shumë të rrezikshme”. Deklarata vjen në një kohë kur Kryeministri britanik Keir Starmer u bë udhëheqësi i parë i Mbretërisë së Bashkuar që viziton Kinën pas tetë vitesh, me synimin për të nxitur tregtinë dhe për të rifilluar lidhjet ekonomike me Pekinin.

 

Trump foli me gazetarët të enjten në mbrëmje, gjatë premierës së filmit “Melania” në Qendrën Kennedy në Uashington, ku shprehu shqetësimin për afrimin e Londrës me Pekinin, ndërsa Starmer dhe Presidenti kinez Xi Jinping mirëpritën rifillimin e marrëdhënieve dypalëshe pas bisedimeve në Kinë. “Është shumë e rrezikshme që ata ta bëjnë këtë”, tha Trump, duke shtuar se bashkëpunimi me Kinën është “edhe më i rrezikshëm për Kanadanë”. Presidenti amerikan theksoi se Kanadaja “nuk po ecën mirë” dhe nuk duhet ta shohë Kinën si zgjidhje. Ai paralajmëroi se nëse Otava arrin një marrëveshje tregtare me Pekinin, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa 100 për qind për të gjitha mallrat kanadeze që hyjnë në tregun amerikan.

 

Trump përmendi edhe marrëveshjen e arritur mes Kanadasë dhe Kinës, e cila parashikon uljen e tarifave kineze për vajin kanola kanadez nga 85% në 15% deri në muajin mars, si dhe uljen nga ana e Kanadasë të taksës për disa automjete elektrike kineze nga 100% në 6.1%. Ai njoftoi gjithashtu se ka tërhequr ftesën për Kanadanë për t’iu bashkuar Këshillit të Paqes. Vizita e Keir Starmer në Kinë e vendos kryeministrin britanik përballë një ekuilibri delikat diplomatik, ndërsa kërkon të thellojë bashkëpunimin ekonomik me Pekinin, pa dëmtuar “marrëdhënien speciale” të Mbretërisë së Bashkuar me Shtetet e Bashkuara. Një zyrtar britanik reagoi ndaj komenteve të Trump duke theksuar se Uashingtoni ishte i informuar për vizitën e Starmer dhe për planet e qeverisë britanike për forcimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën.

 


Gjatë udhëtimit drejt Pekinit, Kryeministri britanik deklaroi se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten ndër më të rëndësishmet për Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, sigurisë, inteligjencës dhe tregtisë. “Nuk ka kuptim të fshehim kokën në rërë kur bëhet fjalë për Kinën. Është në interesin tonë të bashkëpunojmë, pa rrezikuar sigurinë kombëtare”, u shpreh Starmer, duke theksuar se qeveria britanike synon një qasje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ndaj Pekinit./ballkanweb

XS
SM
MD
LG