Tension maksimal: Washingtoni paralajmëron aleatët për sulm ndaj Iranit
Raportimet e fundit nga mediat amerikane bëjnë të ditur se Shtetet e Bashkuara u kanë përcjellë paralajmërime aleatëve të tyre për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, i cili sipas burimeve mund të nisë që këtë të diel. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një vendim përfundimtar, duke sinjalizuar se plani ndodhet ende në fazë përgatitore, edhe pse në një stad të avancuar.
Sipas të njëjtave burime, objektivat e mundshëm të sulmit nuk do të përqendrohen vetëm te infrastruktura bërthamore dhe raketore iraniane, por mund të shtrihen edhe te udhëheqës të lartë dhe struktura kyçe ushtarake. Synimi i kësaj qasjeje, sipas analizave, do të ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe rritja e presionit ndaj regjimit në Teheran.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar prej javësh Iranin për një afat diplomatik, duke theksuar se në rast se negociatat nuk japin rezultat, opsioni ushtarak mbetet në tryezë. Ai ka deklaruar se prania ushtarake amerikane në rajon është më e madhe se në operacione të mëparshme, përfshirë edhe ato ndaj Venezuelës, duke përmendur dislokimin e anijeve luftarake dhe grupin rreth aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, si shenjë e qartë e fuqisë detare amerikane.
Ndërkohë, U.S. Central Command (CENTCOM) ka paralajmëruar Iranin që të mos afrohet pranë anijeve amerikane gjatë ushtrimeve në Ngushticën e Hormuzit, duke nënvizuar se çdo kërcënim ndaj trupave të SHBA-së do të përballet me reagim. Nga ana tjetër, Teherani ka sinjalizuar se një sulm mund të sjellë kundërpërgjigje, përfshirë goditje brenda Izraelit. Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem iranian, ka paralajmëruar se një ofensivë e tillë rrezikon një përshkallëzim të gjerë rajonal.
Irani ka njoftuar gjithashtu zhvillimin e ushtrimeve ushtarake me zjarr real në Ngushticën e Hormuzit gjatë fundjavës, në të njëjtën kohë kur SHBA dhe aleatët e saj po kryejnë ushtrime të përbashkëta ajrore dhe detare që zgjasin disa ditë. Analistët paralajmërojnë se çdo ndërhyrje ushtarake mund të çojë në një përshkallëzim serioz në Lindjen e Mesme, me pasoja të ndjeshme për stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.