NETANYAHU ALARMON SHBA-në: Irani nuk ndalet me marrëveshje? Paralajmërim i fortë në takimin me Witkoff
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, zhvilloi sot në Jerusalem një takim të nivelit të lartë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një moment kritik për përpjekjet diplomatike amerikane dhe rritjen e tensioneve me Iranin. Takimi u konfirmua nga mediat kryesore izraelite dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe inteligjencës izraelite.
Në qendër të bisedimeve kanë qenë programi bërthamor iranian, qëndrimi i Izraelit ndaj çdo marrëveshjeje të mundshme mes Uashingtonit dhe Teheranit, si dhe zhvillimet e sigurisë në Gaza dhe rajonin më të gjerë. Netanyahu i ka përcjellë Witkoff-it skepticizmin e thellë të Izraelit ndaj Iranit, duke theksuar se Teherani nuk ka respektuar më parë angazhimet ndërkombëtare dhe se çdo marrëveshje duhet të garantojë ndalim real të pasurimit të uraniumit dhe kufizim të kapaciteteve ushtarake iraniane.
Vizita e Witkoff në Izrael vjen përpara bisedimeve të planifikuara më vonë gjatë kësaj jave në Stamboll mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë, ku pritet të diskutohet mundësia e rifillimit të dialogut diplomatik mbi çështjen bërthamore. Mediat izraelite raportojnë se Uashingtoni po kërkon koordinim të ngushtë me Jeruzalemin për të shmangur përplasje politike apo ushtarake në një fazë jashtëzakonisht delikate të negociatave.
Ndërkohë, nga Uashingtoni, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi sot një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Iranit, duke deklaruar se “gjëra të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet një marrëveshje, një sinjal i qartë se administrata amerikane po kombinon diplomacinë me presion të fortë politik dhe ushtarak ndaj Teheranit.