Dosjet Epstein trondisin Hollywood-in: emra vip, email-e dhe foto
Dosjet e publikuara të “Epstein” shkaktojnë tronditje edhe në botën e artistëve dhe kinemasë, pasi dokumentet e fundit të bërë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmbajnë materiale që lidhin figura të njohura me Jeffrey Epstein, të dënuar për krime seksuale kundër të miturve. Në mes të dokumenteve ka pamje fotografike dhe mesazhe me email ku emrat e disa të famshmëve shfaqen në kontekste të ndryshme me Epstein, ngjarje këto që kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Një nga emrat më të komentuar është Jay-Z, reperi dhe producenti i njohur dhe bashkëshorti i Beyoncé. Sipas dëshmisë së një viktime anonime të paraqitur në dosje, në një rast kur ajo ishte droguar dhe më pas abuzuar seksualisht, ajo pretendon se kishte parë Jay-Z dhe producentin Harvey Weinstein në një dhomë së bashku me të. Kjo dëshmi ka ndezur debate të ashpra dhe ka pasur ndikim negativ në imazhin publik të artistit dhe çiftit të famshëm.
Edhe emri i Leonardo DiCaprio përmendet me zhurmë në dosje. Sipas materialeve, aktori i famshëm shfaqet të paktën tre herë në email-et e shkëmbyera nga Epstein, duke qenë objekt i diskutimeve dhe planeve në disa korrespondenca. Në një prej email-eve përmendet një letër ku Epstein i shkruan politikanit britanik Lord Peter Mandelson duke diskutuar rreth emrit të DiCaprio-s në lidhje me kontakte të mundshme në vende si India, Kina apo Rusia. Po ashtu, në disa email-e me Deepak Chopra, përmendet ideja e një darke midis DiCaprio-s dhe Woody Allen në New York, si pjesë e kontakteve sociale të Epstein. Sipas disa dëshmive të mbledhura, një person që i bënte masazh Epstein-it ka deklaruar se aktori dilte me Epstein, ndonëse këto pretendime janë pjesë e materialeve të dosjes, jo të një hetimi gjyqësor.
Në grupin e imazheve dhe referencave të publikuara figuron edhe Mick Jagger, këngëtari i legjendar i “Rolling Stones”, i cili shfaqet në një fotografi të vendosur mes Epstein-it dhe ish-presidentit amerikan Bill Clinton. Materialet e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë përfshijnë edhe prova që e lidhin Epstein me figurinë e Kevin Spacey, i përmendur në foto dhe materiale të tjera që tregojnë prezencën e tij në rrethin shoqëror të Epstein-it në të kaluarën.
Në dokumentet e publikuara shfaqet edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili figuron në disa materiale si pjesë e kontakteve shoqërore dhe fotografive që lidhen me Epstein. Fotografi dhe mesazhe të shpërndara brenda dosjes pasqyrojnë kontakte dhe takime në rrethin e ngritur të Epstein-it gjatë viteve të aktivitetit të tij. Këto zbulime kanë shkaktuar një jehonë të madhe në media dhe rrjetet sociale, duke ringritur diskutime rreth rrjetit të kontakteve që Epstein kishte ndërtuar përpara vdekjes së tij në vitin 2019.