Zbulohet rrjeti “Pedofilët krenarë” në Suedi: 300 persona të përfshirë, vetëm 6 vite burg për organizatorin
Një nga hetimet më të mëdha të viteve të fundit kundër pedofilisë online në Evropë ka çuar në zbardhjen e një rrjeti të organizuar në Suedi që e quante veten “Pedo & Proud” (“Pedofilët krenarë”). Sipas raportimeve të mediave suedeze, përfshirë Aftonbladet, rrjeti përfshinte rreth 300 persona nga vende të ndryshme të botës, të cilët organizonin takime virtuale përmes platformave online dhe shpërndanin materiale me përmbajtje abuzive ndaj fëmijëve.
Si organizator i grupit është identifikuar 44-vjeçari suedez Lucas Karlsson nga Stokholmi. Pas një hetimi rreth një vit e gjysmë nga policia kibernetike, autoritetet gjetën në pajisjet e tij mbi 100 orë materiale të paligjshme me përmbajtje seksuale që përfshinte të mitur. Në fund të dhjetorit 2025, ai u dënua me 6 vite burg për shkelje të rënda të ligjit mbi materialet seksuale me fëmijë — një dënim që ka nxitur reagime dhe debat, duke qenë se bëhet fjalë për një rrjet të gjerë dhe për krime të konsideruara jashtëzakonisht të rënda.
Sipas policisë suedeze, hetimi vijon dhe priten arrestime të tjera, pasi janë identifikuar pjesëmarrës në disa prej takimeve virtuale të organizuara nga grupi. Rasti ka tronditur opinionin publik në Suedi dhe ka hapur diskutime mbi sigurinë në hapësirën digjitale dhe nivelin e dënimeve për krime të tilla. Autoritetet theksojnë se operacioni kundër këtij rrjeti është ende në zhvillim.