Lidhje


Trump mbledh sot “Bordin e Paqes” për Gazën: 5 miliardë dollarë për rindërtim, por mungojnë fuqitë e mëdha

 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të drejtojë sot në Uashington mbledhjen e parë të strukturës së re ndërkombëtare të quajtur “Bordi i Paqes”, e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës, raportoi Reuters. Takimi pritet të mbledhë përfaqësues nga mbi 45 vende, si dhe Bashkimin Evropian, në një moment kur mbeten ende të hapura çështje kyçe që lidhen me paqen dhe stabilitetin në territorin e shkatërruar nga lufta.

 

Në fokus të diskutimeve do të jenë çarmatimi i luftëtarëve të Hamasit, krijimi i një fondi për rindërtimin dhe mekanizmat për shpërndarjen e ndihmës humanitare. Zyrtarë amerikanë bëjnë me dije se deri tani janë siguruar rreth 5 miliardë dollarë për fondin e rindërtimit, përfshirë rreth 1,2 miliardë dollarë kontribute nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti, por theksojnë se kjo shumë mbetet larg nevojave reale në terren.

 

Takimi zhvillohet në objektin e ri të quajtur “Donald J. Trump U.S. Institute of Peace” dhe synon të shërbejë si platformë për një plan më të gjerë paqeje. Sipas burimeve, Trump pritet të njoftojë gjithashtu se disa vende kanë shprehur gatishmëri për të dërguar mijëra trupa në një forcë ndërkombëtare stabilizimi për Gazën, por vendosja e tyre do të kushtëzohet nga çarmatimi i Hamasit, një çështje që mbetet e pazgjidhur.

 

Megjithatë, iniciativa ka nxitur kritika, pasi në përbërje të Bordit përfshihet Izraeli, por mungojnë përfaqësues palestinezë. Po ashtu, disa anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina, pritet të mos marrin pjesë. Ndër folësit e pritshëm janë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, si dhe figura të tjera ndërkombëtare, përfshirë ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

XS
SM
MD
LG