Alarm në Lindjen e Mesme: Izraeli gati për luftë - në horizont një ofensivë e përbashkët me SHBA-në ndaj Iranit?
Izraeli ka vendosur forcat e tij në gatishmëri të shtuar dhe ka intensifikuar përgatitjet ushtarake, ndërsa po shtohen sinjalet se një sulm i koordinuar me Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit mund të jetë i afërt. CNN Arabisht, duke cituar dy burime izraelite të paidentifikuara, raporton se Tel Avivi po përgatit skenarë si sulmues, ashtu edhe mbrojtës, mes dyshimeve në rritje për ecurinë e negociatave SHBA–Iran.
Sipas një zyrtari ushtarak izraelit, udhëheqja e vendit ka humbur besimin tek procesi diplomatik dhe po planifikon alternativa konkrete në rast dështimi të bisedimeve. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka zhvilluar disa mbledhje të mbyllura sigurie gjatë kësaj jave për të vlerësuar nivelin e gatishmërisë dhe koordinimin me aleatët, në një klimë tensioni të lartë rajonal.
Nëse presidenti amerikan Donald Trump jep dritën jeshile, çdo operacion pritet të jetë shumë më i gjerë se sulmet e qershorit të kaluar gjatë luftës 12-ditore, duke përfshirë një ofensivë të përbashkët Washington–Tel Aviv. Sipas Axios, një ndërhyrje e mundshme mund të shndërrohet në një fushatë masive disa javore, me potencial për të tronditur seriozisht stabilitetin e regjimit iranian.
Ndërkohë, SHBA-ja ka përforcuar praninë ushtarake në rajon, duke dërguar grupin sulmues të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, ndërsa USS Gerald R. Ford është gjithashtu në lëvizje, së bashku me avionë luftarakë shtesë. Nënpresidenti JD Vance i cilësoi bisedimet e Gjenevës “produktive në disa aspekte”, por theksoi se Irani nuk është ende i gatshëm të pranojë “linjat e kuqe” të Trumpit. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e përshkroi klimën e dialogut si “më konstruktive”, duke lënë të hapur një dritare të brishtë për diplomaci mes kërcënimit të një përplasjeje të drejtpërdrejtë.