Lidhje


Trump mes diplomacisë dhe luftës: Shtëpia e Bardhë shqyrton skenarin e përplasjes me Iranin

 

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një takim të nivelit të lartë me këshilltarët kryesorë të sigurisë kombëtare për të analizuar situatën e fundit lidhur me Iranin dhe për të peshuar hapat e ardhshëm, nga rruga diplomatike deri te opsionet ushtarake. Sipas një raporti të Axios, në tryezë ishin i dërguari për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, këshilltari i lartë Jared Kushner, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm të administratës.

 

Trump u informua mbi kontaktet e fundit me përfaqësuesit iranianë në Gjenevë, ku u diskutua programi bërthamor i Teheranit, ndërsa ekipi i sigurisë paraqiti skenarë të ndryshëm për ecurinë e mëtejshme. Dy zyrtarë amerikanë paralajmëruan se një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit mund të mos mbetej e kufizuar, por të shndërrohej në një konflikt më të gjerë dhe të zgjatur, ndryshe nga operacioni më i përmbajtur i zhvilluar në Venezuelë në janar.

 

Paralelisht, CNN raportoi se forcat amerikane janë në gatishmëri për një goditje të mundshme në ditët e ardhshme, pas një rritjeje të dukshme të pranisë ajrore dhe detare amerikane në Lindjen e Mesme. Sipas burimeve, ushtria mund të jetë në pozicion për të vepruar që këtë fundjavë, megjithëse presidenti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

 

Një burim i afërt me diskutimet i tha CNN se Trump ka shprehur rezerva dhe qëndrime të luhatshme për një veprim ushtarak, duke kërkuar këshilla si nga ekipi i tij, ashtu edhe nga aleatët ndërkombëtarë. Gjatë takimit, presidenti mori gjithashtu përditësime mbi zhvillimet e luftës Rusi–Ukrainë dhe përgatitjet për mbledhjen e Bordit të Paqes për Gazën, e planifikuar të mbahet në Uashington.

XS
SM
MD
LG