Goditje e fortë për Trump: Gjykata Supreme i shpall të paligjshme tarifat globale
Gjykata Supreme e SHBA-së i dha një goditje të rëndë politikës ekonomike të presidentit Donald Trump, duke rrëzuar me 6 vota pro dhe 3 kundër fushatën e tij globale të tarifave dhe duke shpallur se ajo nuk ka bazë ligjore. Vendimi kufizon ndjeshëm një nga instrumentet kryesore që Trump ka përdorur për të ushtruar presion ekonomik ndaj vendeve të tjera, për të imponuar marrëveshje të reja tregtare dhe për të ndikuar në çështje të politikës së jashtme.
Në arsyetimin e shumicës, kryetari i Gjykatës, John Roberts, theksoi se Kushtetuta ia jep qartë Kongresit – dhe jo presidentit – autoritetin për taksimin dhe vendosjen e tarifave. Gjykata hodhi poshtë argumentin se ligji i vitit 1977, “International Emergency Economic Powers Act” (IEEPA), i jep presidentit kompetencë për të vendosur tarifa në kushte emergjente, duke nënvizuar se në tekstin e ligjit nuk përmendet askund fuqia për vendosjen e detyrimeve doganore.
Tre gjyqtarë konservatorë – Samuel Alito, Brett Kavanaugh dhe Clarence Thomas – dolën kundër vendimit. Pas shpalljes së tij, tregjet reaguan pozitivisht: tre indekset kryesore të bursës amerikane u rritën, duke rikthyer një pjesë të besimit të investitorëve që ishte lëkundur më herët nga të dhënat negative për PBB-në.