Partia në pushtet e Koresë së Veriut rizgjedh Kim Jong Un si sekretar të përgjithshëm
Media shtetërore njoftoi sot se partia në pushtet e Koresë së Veriut ka rizgjedhur Kim Jong Un si sekretar të përgjithshëm në kongresin e partisë që po zhvillohet. Kim u rizgjodh nga Kongresi i nëntë i Partisë së Punëtorëve të Koresë (WPK), i cili u hap të enjten në Phenian, raportoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA). Në takimin, që mbahet çdo pesë vjet, marrin pjesë 5.000 delegatë të partisë.
"Kongresi i Nëntë i Partisë së Punëtorëve të Koresë vendos të zgjedhë Kim Jong Un si sekretar të përgjithshëm të WPK-së në përputhje me vullnetin e palëkundur dhe dëshirën unanime të të gjithë delegatëve, miliona anëtarëve të partisë, të gjithë popullit dhe personelit të shërbimit të Ushtrisë Popullore për zhvillimin e WPK-së dhe prosperitetin e shtetit", raportoi KCNA, duke cituar një vendim të miratuar nga kongresi të dielën.
"Vetëm Kim Jong Un mund të udhëheqë trendin e transformimit gjigant të kauzës sonë, të vënë në një orbitë kërcimi përpara drejt një rritjeje të qëndrueshme pa ndalesë", tha sekretari i partisë Ri Il-hwan gjatë një fjalimi në kongres, duke shtuar se vendi ka sfiduar me sukses sanksionet dhe është bërë një forcë "e frikshme" e njohur nga armiqtë e tij.
Seanca e së dielës zgjodhi gjithashtu anëtarët dhe anëtarët alternativë të Komitetit Qendror të WPK-së, me Kim Jong Un, Pak Thae Song, Jo Yong Won dhe Ri Il Hwan midis anëtarëve të zgjedhur.
Kongresi përjashtoi Choe Ryong-hae, kryetarin 76-vjeçar të parlamentit të Koresë së Veriut, i cili dikur shërbeu si udhëheqësi më i lartë ushtarak, nga lista e anëtarëve të komitetit qendror të partisë, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë, duke sinjalizuar një ndryshim të madh brezash në lidership.
Kongresi, gjithashtu miratoi rregullat e rishikuara të partisë gjatë takimit të së dielës, por nuk u publikuan detaje të veçanta. Në fund të kongresit, partia pritet të miratojë një vendim që përcakton drejtime të reja politike për pesë vitet e ardhshme, përfshirë ekonominë, mbrojtjen dhe diplomacinë.
Kongresi është organi më i lartë vendimmarrës në Korenë e Veriut./AA