Lidhje


Përplasje e re BE-SHBA: Brukseli hedh poshtë tarifat e Trump – Një marrëveshje është marrëveshje!

 

Komisioni Europian i kërkoi zyrtarisht Shteteve të Bashkuara që të respektojnë kushtet e marrëveshjes tregtare BE–SHBA të arritur vitin e kaluar, pasi Gjykata e Lartë amerikane rrëzoi tarifat globale të vendosura nga Donald Trump, ndërsa presidenti reagoi menjëherë me vendosjen e tarifave të reja të përkohshme “në të gjithë tabelën”. Fillimisht, Trump shpalli tarifa të përgjithshme 10%, të cilat vetëm një ditë më pas i rriti në 15%.

 

Komisioni, që negocion politikën tregtare në emër të 27 shteteve anëtare të BE-së, kërkoi “qartësi të plotë” nga Uashingtoni mbi hapat që do të ndërmarrë pas vendimit të Gjykatës Supreme. Në një reagim dukshëm më të ashpër se ai i së premtes, Brukseli theksoi se situata aktuale nuk është në përputhje me frymën e tregtisë “të drejtë, të balancuar dhe me përfitim të ndërsjellë” të dakordësuar në deklaratën e përbashkët të vitit të kaluar, duke shtuar prerë: “Një marrëveshje është marrëveshje.”

 

Marrëveshja e vitit të kaluar parashikonte një tarifë 15% për shumicën e mallrave europiane që hyjnë në SHBA, me përjashtim të produkteve të mbuluara nga tarifa sektoriale si çeliku, si dhe zero tarifa për disa produkte si avionët dhe pjesët e këmbimit. Në këmbim, BE hoqi detyrimet doganore për shumë produkte amerikane dhe tërhoqi kërcënimin për kundërmasa tarifore. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse tarifat e reja 15% të shpallura nga Trump zëvendësojnë apo tejkalojnë marrëveshjen ekzistuese. Nëse ato aplikohen përtej kuadrit të dakordësuar, përjashtimet me tarifë zero mund të zhduken, ndërsa tarifat e reja mund të shtohen mbi detyrimet ekzistuese “most-favoured-nation”, gjë që nuk parashikohej nga marrëveshja.

 

Analiza e monitoruesit të politikave tregtare Global Trade Alert vlerëson se BE-ja në tërësi mund të përballet me një përkeqësim prej 0.8 pikë përqindjeje, ndërsa Italia do të goditej edhe më fort me 1.7 pikë përqindjeje shtesë në tarifa amerikane. Komisioni Europian paralajmëroi se tarifat e paparashikueshme cenojnë stabilitetin e tregjeve globale dhe minojnë besimin e investitorëve. Çështja u diskutua të shtunën mes Komisionerit europian për Tregtinë, Maros Sefcovic, Përfaqësuesit amerikan për Tregtinë Jamieson Greer dhe Sekretarit të Tregtisë Howard Lutnick, ndërsa tensionet transatlantike në fushën tregtare duket se po hyjnë në një fazë të re pasiguri.

XS
SM
MD
LG