Ultimatum Hamasit? Izraeli paralajmëron pushtim të plotë të Gazës
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka paralajmëruar se Hamasit mund t’i jepet brenda ditëve në vijim një ultimatum për t’u çarmatosur dhe për të çmilitarizuar plotësisht Rripin e Gazës. Në një intervistë për transmetuesin publik Kan, ai deklaroi se nëse grupi palestinez nuk dorëzon armët, ushtria izraelite do të ketë “legjitimitet ndërkombëtar dhe mbështetje amerikane” për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për ta bërë vetë këtë.
Izraeli pushtoi Gazën në vitin 2023 pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi. Sipas fazës së parë të armëpushimit të sponsorizuar nga SHBA-të, ushtria izraelite u tërhoq në pozicione pas të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, por vazhdon të kontrollojë mbi gjysmën e territorit të Gazës. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të përditshme të armëpushimit. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se 615 persona janë vrarë nga forcat izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa ushtria izraelite ka konfirmuar humbjen e pesë ushtarëve gjatë të njëjtës periudhë.
Faza e dytë e armëpushimit, e nisur muajin e kaluar, parashikon tërheqje graduale të trupave izraelite dhe çarmatosjen e Hamasit, një kërkesë që grupi e ka kundërshtuar fuqishëm. Smotrich theksoi se ushtria “patjetër do të hyjë dhe do të pushtojë Gazën” nëse Hamasi refuzon ultimatumit, duke shtuar se janë duke u shqyrtuar “dy ose tre alternativa” operative.
Ndërkohë, plani i paqes i paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump parashikon krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) me rreth 20,000 trupa. I pyetur si do të vepronte Izraeli në prani të trupave të huaja, Smotrich u shpreh se forca ndërkombëtare do të “tërhiqej shumë shpejt” për të lejuar hyrjen e ushtrisë izraelite, duke shtuar se koordinimi me SHBA-të është në zhvillim.
Situata në terren mbetet e tensionuar. Sipas burimeve të sigurisë në Gaza, forcat izraelite bombarduan zonën e Beit Lahia në veri dhe kryen sulme ajrore në Khan Yunis në jug, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se ka “eliminuar” një luftëtar që kishte kaluar Vijën e Verdhë në territorin e kontrolluar nga Izraeli. Tensionet e reja hedhin dyshime mbi qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe rrezikun e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.