Trump thyen rekordin në fjalimin e State of the Union – Përplasje me demokratët dhe Gjykatën Supreme
Sapo mbërriti në Kapitolin e SHBA-së, Donald Trump përshëndeti disa prej anëtarëve të Gjykatës Supreme të pranishëm në sallë. Tre prej tyre kishin votuar pak ditë më parë për rrëzimin e tarifave globale – masa që presidenti e ka konsideruar si shtyllë të politikës së tij ekonomike. Gjatë fjalës para Kongresit, Trump e quajti vendimin “shumë të pafavorshëm”, por la të kuptohet se administrata e tij po përgatit alternativa ligjore për të ruajtur detyrimet tregtare që, sipas tij, do të përballohen nga shtetet e tjera.
Fjalimi i tij hyri në histori për nga kohëzgjatja. Me 1 orë e 47 minuta, ai u bë më i gjati ndonjëherë në një adresim për Gjendjen e Kombit. Presidenti nisi të fliste në orën 21:12 sipas kohës lindore dhe në 22:52 tejkaloi rekordin e mëparshëm. Ai kaloi kështu jo vetëm fjalimin e vet të vitit të kaluar, por edhe rekordin e vendosur nga Bill Clinton në vitin 2000.
Mes përplasjeve politike në sallë, një moment i rrallë bashkimi ndodhi kur në ambientet e Kongresit hynë kampionët olimpikë të hokejit mbi akull. Të pranishmit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën, duke brohoritur “USA! USA!”, në nder të medaljes së parë të artë të SHBA-së në këtë sport pas 46 vitesh.
Demokratët, megjithatë, e shfaqën hapur kundërshtinë e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk morën pjesë fare, ndërsa shumë prej atyre që ishin në sallë qëndruan ulur gjatë pjesës më të madhe të fjalimit. Disa kongresmene u veshën me të bardha në shenjë simbolike për të drejtat e grave, ndërsa të tjerë mbanin simbole që kërkonin transparencë lidhur me dosjet e Jeffrey Epstein. Situata u tensionua kur ligjvënësi Al Green u nxor jashtë pas ngritjes së një pankarte proteste.
Një tjetër moment i nxehtë ndodhi gjatë shkëmbimit verbal mes Trumpit dhe kongresmenes Ilhan Omar. Presidenti akuzoi demokratët se duhet të “turpëroheshin”, ndërsa Omar iu përgjigj me akuza të drejtpërdrejta lidhur me vdekjen e dy protestuesve në Minneapolis. Ajo u largua nga salla përpara përfundimit të fjalimit.
Pak ditë më parë, Trump kishte paralajmëruar se fjala e tij do të ishte e gjatë. “Do të kemi shumë për të diskutuar”, kishte deklaruar ai nga Shtëpia e Bardhë – një paralajmërim që u konfirmua plotësisht në sallën e Kongresit.