Irani paralajmëron SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të përgjigjemi – rajoni do të përfshihet në luftë
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit ka deklaruar në një intervistë për Radion Kombëtare Amerikane se Teherani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, duke theksuar se vendi i tij do të hyjë në negociatat e Gjenevës “me sinqeritet dhe vullnet të mirë”. Sipas tij, nëse ekziston vullnet nga të gjitha palët, një marrëveshje mund të konkretizohet në kohë të shkurtër.
Ai sqaroi se fokusi i bisedimeve mbetet çështja bërthamore, temë për të cilën palët tashmë kanë rënë dakord të diskutojnë. Zyrtari iranian theksoi se opsioni i preferuar i Teheranit është diplomacia dhe një zgjidhje paqësore, duke shtuar se “nuk ka zgjidhje ushtarake” dhe se dërgimi i trupave nuk është rruga e duhur.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një sulm ndaj Iranit, vendi i tij do të reagojë sipas planeve mbrojtëse. “Si mund të presin që ne të heshtim nëse sulmohemi?”, u shpreh ai, duke nënvizuar se çdo agresion do të ketë pasoja për të gjithë rajonin.
Zëvendësministri shtoi se lufta mund të shpërthejë, por përfundimi i saj është i paparashikueshëm dhe i vështirë. Sipas tij, përpjekjet për ta frikësuar Iranin përmes kërcënimeve ushtarake nuk do të funksionojnë, ndërsa zgjidhja e vetme e qëndrueshme mbetet dialogu diplomatik.