Lidhje


Tensionet me Iranin/ SHBA i kërkon stafit të ambasadës në Izrael të largohet menjëherë

 

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar disa punonjësve të ambasadës në Izrael që të largohen menjëherë, nëse e konsiderojnë të nevojshme, në një klimë tensioni të shtuar pas paralajmërimeve të Presidentit Donald Trump për një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

 

Mesazhi është përcjellë përmes një emaili nga ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, dërguar stafit të misionit diplomatik.

 

Në të theksohet se ata që dëshirojnë të largohen duhet ta bëjnë këtë “SOT”, duke shtuar se udhëzimi është dhënë “nga një tepricë kujdesi” pas takimeve dhe telefonatave të zhvilluara gjatë natës, përfshirë komunikime me Departamentin e Shtetit, sipas NBC.

 

“Nuk ka nevojë për panik”, thuhej në email, por paralajmërohej se ata që planifikojnë të largohen duhet të rezervojnë sa më shpejt fluturimet, për shkak të rritjes së pritshme të kërkesës.

 

Ambasada amerikane në Jerusalem konfirmoi se personeli jo i domosdoshëm dhe familjarët e tyre mund të largohen nga Izraeli për shkak të “rreziqeve të sigurisë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

 

Ky vendim vjen pasi SHBA ka urdhëruar më herët largimin e detyrueshëm të disa punonjësve nga ambasada në Bejrut.

 

Tensione pas bisedimeve në Gjenevë

 

Zhvillimet ndodhin në një moment kur raundi i fundit i bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor iranian përfundoi pa një përparim të dukshëm.

 

Presidenti Trump ka mbikëqyrur një grumbullim të madh forcash ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, më i madhi në dekada.

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë në Izrael të hënën për të diskutuar “një sërë prioritetesh rajonale”, përfshirë Iranin.

 

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance pritet të takohet në Uashington me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr al-Busaidi, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet në Gjenevë.

 

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cilësoi bisedimet si pozitive, duke theksuar se ato zgjatën rreth gjashtë orë dhe ishin indirekte.

 

Edhe ndërmjetësi nga Omani foli për “përparim të rëndësishëm”, duke shtuar se negociatat do të rifillojnë pas konsultimeve në kryeqytetet respektive, me diskutime teknike të pritshme javën e ardhshme në Vjenë.

 

Paralajmërime dhe evakuime

 

Irani ka paralajmëruar se do të sulmojë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet, ndërsa një përshkallëzim mund të përfshijë edhe Izraelin.

 

Situata ka shtyrë disa vende të tërheqin familjarët e stafit diplomatik nga rajoni ose të këshillojnë qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Iranit.

 

Britania e Madhe ka njoftuar se ka tërhequr përkohësisht personelin nga Irani për shkak të situatës së sigurisë, ndërsa Kina u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet drejt Iranit dhe atyre që ndodhen atje të largohen sa më parë.

 

Disa kompani ajrore, përfshirë KLM, kanë njoftuar pezullimin e fluturimeve nga aeroporti “Ben Gurion” në Tel Aviv, mes shqetësimeve për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në rajon.

XS
SM
MD
LG