Izraeli dhe SHBA sulmojnë Iranin – Lufta shpërthen në Lindjen e Mesme!
Lufta ka nisur zyrtarisht. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të gjerë ushtarak kundër Iranit, duke e shtyrë Lindjen e Mesme drejt një përshkallëzimi të ri dhe të rrezikshëm. Sulmet ajrore dhe raketore goditën objektiva në Teheran dhe zona të tjera strategjike iraniane në orët e para të së shtunës, pas dështimit përfundimtar të përpjekjeve diplomatike mbi programin bërthamor të Teheranit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit deklaroi se bëhet fjalë për një “sulm parandalues”, me qëllim neutralizimin e kërcënimeve që, sipas Tel Avivit, rrezikonin sigurinë kombëtare dhe ekzistencën e shtetit izraelit. Izraeli shpalli gjendje emergjente në mbarë territorin, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan në disa qytete kryesore.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një zyrtar amerikan konfirmoi se edhe forcat amerikane ishin të përfshira në operacion. Burime të cituara nga Reuters bëjnë të ditur se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është transferuar në një vend të sigurt jashtë Teheranit.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në kryeqytetin iranian, ndërsa autoritetet iraniane paralajmëruan se do të ketë përgjigje të menjëhershme dhe proporcionale. Sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në Izrael rreth orës 08:15 sipas kohës lokale, në atë që ushtria e cilësoi si një alarm paraprak për të përgatitur popullsinë për mundësinë e sulmeve me raketa.
Ky zhvillim vjen pas muajsh tensionesh të larta, përfshirë një përballje ajrore 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit gjatë verës, si dhe paralajmërime të përsëritura nga SHBA dhe Izraeli se do të ndërhynin ushtarakisht nëse Irani do të vazhdonte avancimin e programeve të tij bërthamore dhe të raketave balistike.
Situata në rajon mbetet jashtëzakonisht e brishtë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, nga frika e një përshkallëzimi të gjerë rajonal me pasoja globale.