Lidhje


Netanyahu: Sulmet ndaj Iranit synojnë eliminimin e “kërcënimit ekzistencial” dhe rrëzimin e regjimit

 

Kryeministri Benjamin Netanyahu publikoi të shtunën një mesazh me video drejtuar publikut, pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një valë sulmesh ndaj Iranit, duke deklaruar se operacioni synon “të eliminojë kërcënimin ekzistencial” që paraqet Republika Islamike dhe të “krijojë kushtet” që iranianët të ndryshojnë fatin e tyre.

 

“Vëllezërit dhe motrat e mia, qytetarë të Izraelit, pak çaste më parë Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një operacion për të eliminuar kërcënimin ekzistencial të paraqitur nga regjimi terrorist në Iran”, u shpreh ai.

 

Sipas një zyrtari izraelit, vala e madhe e sulmeve të kryera të shtunën në mëngjes kishte në shënjestër objekte të regjimit iranian dhe instalime ushtarake. Ai shtoi se Izraeli po përgatitet për disa ditë përballje me Iranin.

 

“Falënderoj mikun tonë të madh, Presidentin Donald Trump, për udhëheqjen e tij historike”, shtoi Netanyahu. Nga ana e tij, Trump, në një mesazh të veçantë me video, deklaroi se kundër Iranit janë nisur “operacione të mëdha luftarake” dhe la të kuptohet se qëllimi është rrëzimi i regjimit, duke i bërë thirrje popullit iranian të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të marrë në dorë drejtimin e vendit.

 

“Për 47 vjet, regjimi i Ajatollahëve ka thirrur ‘Vdekje Izraelit’ dhe ‘Vdekje Amerikës’. Ai ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet”, vijoi Netanyahu.

 

“Ky regjim terrorist dhe vrasës nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore që do t’i mundësonin të kërcënojë mbarë njerëzimin”, tha ai, duke shtuar: “Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta.”

XS
SM
MD
LG