Irani i thotë “JO” Uashingtonit – Larijani: Nuk negociojmë, Trump po e çon rajonin drejt kaosit
Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, mohoi raportimet e mediave amerikane se kishte ndërmarrë një nismë të re për rifillimin e bisedimeve bërthamore me SHBA-në përmes ndërmjetësve nga Omani. Në një postim në platformën X, ai deklaroi prerazi: “Nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara.”
Reagimi erdhi pasi The Wall Street Journal raportoi se Larijani kishte kërkuar rifillimin e dialogut pas vrasjes së Liderit Suprem iranian Ali Khamenei në një sulm të përbashkët SHBA-Izrael. Në një tjetër deklaratë, Larijani akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se ka zhytur Lindjen e Mesme në kaos përmes “fantazive delirante”, duke e shndërruar sloganin “America First” në “Israel First” dhe duke sakrifikuar ushtarët amerikanë për ambiciet e Izraelit. Ai paralajmëroi se koston do ta paguajnë vetë ushtarët amerikanë dhe familjet e tyre, ndërsa Irani do të vazhdojë të mbrohet.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) konfirmoi se të paktën tre ushtarë amerikanë u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën rëndë në operacione kundër Iranit. Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vijuan për të tretën ditë radhazi, në një fushatë që presidenti Trump e ka paraqitur si përpjekje për rrëzimin e qeverisë iraniane.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme, duke rritur frikën për një luftë rajonale më të gjerë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, duke e quajtur vrasjen e Khameneit “akt terrorist frikacak” dhe sulmet si “përshkallëzim të rrezikshëm dhe të paprecedentë”.
Në Uashington, mesazhet nga administrata Trump duken kontradiktore: herë përmendet mundësia e rikthimit të negociatave, herë paralajmërohet se operacionet ushtarake mund të zgjasin për javë të tëra. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, pritet të dalin për herë të parë para mediave që nga nisja e ofensivës, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të informojë Kongresin mbi arsyet që çuan në vendimin për luftë.