153 nxënëse të vrara në Minab – Teherani akuzon SHBA-në dhe Izraelin për sulmin ndaj shkollës së vajzave
Numri i viktimave nga sulmi ndaj shkollës fillore të vajzave në Minab, në jug të Iranit, ka shkuar në 153 nxënëse të vrara, sipas autoriteteve iraniane.
Goditja ndodhi gjatë ofensivës ajrore që Irani ia atribuon një operacioni të përbashkët izraelito-amerikan. Sipas burimeve zyrtare në Teheran, ndërtesa e shkollës u godit ndërsa nxënëset ndodheshin në ambientet e saj, duke shkaktuar një bilanc tragjik me dhjetëra të plagosura përveç viktimave.
Qeveria iraniane e ka cilësuar sulmin si “krim lufte” dhe ka akuzuar drejtpërdrejt SHBA-në dhe Izraelin për përgjegjësi. Nga ana tjetër, deri në këto momente nuk ka një konfirmim të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni apo Tel Avivi për autorësinë e goditjes ndaj objektit arsimor.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit, me thirrje për hetim ndërkombëtar dhe mbrojtje të institucioneve civile, veçanërisht shkollave, në zonat e konfliktit.
Bilanci prej 153 nxënëse të vrara e bën këtë një nga episodet më të rënda të përshkallëzimit të fundit ushtarak në rajon, ndërsa tensionet mes palëve vijojnë të rriten.