Habit Witkoff: Irani pranoi se zotëron uranium të pasuruar në 60%
I dërguari i posaçëm i administratës amerikane, Steve Witkoff, ka deklaruar se negociatorët iranianë i kanë pranuar hapur Shteteve të Bashkuara se zotërojnë sasi uraniumi të pasuruar në nivelin 60%, të mjaftueshme për të prodhuar material bërthamor për armë.
Në një intervistë për Sean Hannity në Fox News, Witkoff tha se pala iraniane i ka bërë të ditur atij dhe dhëndrit të presidentit amerikan, Jared Kushner, se kontrollon 460 kilogramë uranium të pasuruar në 60%, duke qenë e vetëdijshme se kjo sasi mund të pasurohet shpejt në 90%, nivel i konsideruar për prodhimin e armëve bërthamore.
Sipas tij, zyrtarët iranianë e kanë pranuar këtë “drejtpërdrejt dhe pa asnjë hezitim”, duke shtuar se ata janë krenarë që kanë shmangur protokollet e mbikëqyrjes për ta arritur këtë kapacitet, përcjell JP.
Witkoff renditi se Irani zotëron rreth 10 mijë kilogramë uranium të ndashëm, të ndarë në rreth 460 kg të pasuruar në 60%, 1 mijë kg në 20% dhe pjesa tjetër në 3.67%.
Ai theksoi se uraniumi i pasuruar në 60% mund të çojë në nivelin 90% brenda rreth një jave, ose maksimumi 10 ditësh, ndërsa ai në 20% mund të arrijë nivelin e armëve brenda tre deri në katër javësh.
Megjithatë, ai theksoi se, edhe pse Irani ka këtë sasi materiali, do t’i duheshin të paktën dy vjet për të ndërtuar realisht një bombë bërthamore.
Sipas tij, një tjetër shqetësim është fakti se Irani prodhon vetë centrifugat për pasurimin e uraniumit, duke e bërë pothuajse të pamundur ndalimin e këtij procesi.
Witkoff tha se negociatorët iranianë kanë këmbëngulur se vendi i tyre ka “të drejtën e patjetërsueshme” për të pasuruar karburantin bërthamor që zotëron.
Në përgjigje, pala amerikane ka deklaruar se presidenti Donald Trump beson se SHBA ka të drejtën ta ndalë Iranin në këtë drejtim.
I pyetur për përpjekjet për të ofruar një alternativë, Witkoff zbuloi se SHBA i kishte propozuar Iranit një marrëveshje sipas së cilës Teherani nuk do të pasuronte asnjë sasi uraniumi për 10 vjet, ndërsa SHBA do të paguante për furnizimin me karburant bërthamor në emër të shtetit iranian. Sipas tij, kjo ofertë u refuzua kategorikisht.
Kjo, sipas Witkoff, tregoi se pala iraniane nuk kishte asnjë qëllim tjetër përveçse ruajtjes së kapaciteteve të pasurimit për qëllime të armatosjes.
Duke iu referuar sulmeve ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025, të njohura si “Operation Midnight Hammer”, Hannity komentoi se pala iraniane po vepronte “sikur ajo të mos kishte ndodhur”.
Witkoff përfundoi duke thënë se objektivat e presidentit Trump në këto negociata ishin eliminimi i programit të raketave të Iranit, ndalimi i mbështetjes për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme, garantimi i lirisë së lundrimit në det dhe sigurimi që Irani të mos arrijë pasurimin bërthamor.
“Ne hymë aty për të bërë një marrëveshje të drejtë, por ishte shumë e qartë, ndoshta që në fund të takimit të dytë, se kjo do të ishte e pamundur. U kthyem edhe për një takim të tretë për të provuar sërish, por ai takim nuk ishte pozitiv,” përfundoi ai.