Zbardhet telefonata sekrete që ndezi luftën - Si vendosën Trump dhe Netanyahu të godasin Khamenein në sulm fatal?
Një telefonatë sekrete mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump më 23 shkurt rezultoi momenti vendimtar që çoi në shpërthimin e luftës kundër Iranit, raporton Axios, duke cituar tre burime të informuara mbi bisedën.
Sipas raportimit, Netanyahu i dha Trumpit një informacion tronditës: Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe këshilltarët e tij më të afërt do të mblidheshin të shtunën në mëngjes në një vend të caktuar në Teheran – një objektiv që mund të goditej me një sulm të vetëm ajror shkatërrues. Telefonata, e mbajtur e fshehtë nga Shtëpia e Bardhë dhe e pa raportuar më parë, i dha përgjigje pyetjes që shtrohej ndërkombëtarisht: pse tani?
Burimet thanë se Trump kishte shqyrtuar prej kohësh mundësinë e një sulmi ndaj Iranit, por nuk kishte vendosur për kohën. Informacioni mbi vendndodhjen e Khameneit dhe rrethit të tij të ngushtë u konsiderua një mundësi që as ai dhe as Netanyahu nuk donin ta humbnin.
Telefonata ishte kulmi i muajve të koordinimit mes dy liderëve. Ata ishin takuar dy herë dhe kishin zhvilluar 15 biseda telefonike në dy muajt para nisjes së luftës. SHBA dhe Izraeli kishin shqyrtuar mundësinë e sulmit një javë më herët, por e kishin shtyrë për arsye inteligjence dhe operative, përfshirë kushtet e motit.
Një vlerësim fillestar i CIA, i urdhëruar nga Trump, konfirmoi informacionin e mbledhur nga inteligjenca ushtarake izraelite për praninë e Khameneit në takim. Deri të enjten para sulmit, agjencia kishte “konfirmuar plotësisht” se objektivat do të ishin të gjithë në të njëjtin vend.
Të premten në orën 15:38, Trump dha urdhrin përfundimtar për sulmin. Njëmbëdhjetë orë më vonë, bombat ranë mbi Teheran. Ajatollah Ali Khamenei u vra dhe lufta në Lindjen e Mesme kishte nisur.
Sipas Axios, Trump kishte dashur të vepronte edhe më herët, madje në fillim të janarit, por Netanyahu kishte kërkuar shtyrje për të ndërtuar mbështetje publike dhe për të koordinuar më mirë operacionin. Plani fillestar parashikonte fundin e marsit ose fillimin e prillit, por zhvillimet e inteligjencës dhe shqetësimet për situatën në Iran përshpejtuan afatin.
Administrata amerikane u gjend në një situatë të papritur, duke u detyruar të justifikonte publikisht sulmet pasi ato kishin ndodhur tashmë. I pyetur pse nuk kishte plan evakuimi, Trump u përgjigj: “Sepse gjithçka ndodhi kaq shpejt.”