Mbërrin në Qipro "bisha" britanike - Anglia, Franca dhe Greqia forcojnë mbrojtjen pas sulmit me dronë iranianë
Tensionet në Mesdheun Lindor janë rritur ndjeshëm pas sulmit me dronë ndaj bazës ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro, një territor sovran britanik në ishull. Sipas raportimeve të Reuters, CNA dhe mediave britanike, një dron i tipit iranian Shahed goditi pistën e bazës duke shkaktuar dëme të kufizuara, ndërsa dy dronë të tjerë u interceptuan. Autoritetet qipriote vlerësojnë se droni mund të jetë lëshuar nga Libani nga grupi Hezbollah i mbështetur nga Irani. Ngjarja çoi në evakuimin e qindra civilëve në zonat pranë bazës.
Si përgjigje, kryeministri britanik Keir Starmer konfirmoi se Mbretëria e Bashkuar do të forcojë praninë ushtarake në rajon. Londra do të dërgojë shkatërruesin e tipit 45 HMS Dragon – e vetmja anije në arsenalin britanik me aftësi për të rrëzuar raketa balistike – si dhe helikopterë me kapacitete kundër-dronësh. Anija është ankoruar në Portsmouth dhe pritet të mbërrijë në rajon brenda pesë deri në shtatë ditësh. Starmer deklaroi se Britania “do të veprojë gjithmonë në interes të Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë”.
Franca po ashtu ka reaguar menjëherë. Sipas zyrtarëve qipriotë dhe konfirmimeve nga Reuters, presidenti Emmanuel Macron informoi homologun e tij Nikos Christodoulides se Parisi do të dërgojë sisteme anti-raketore, sisteme kundër-dronëve dhe një fregatë në Qipro, me një fregatë të dytë që pritet së shpejti. Shtabi i Përbashkët i ushtrisë franceze deklaroi se po vepron në koordinim me partnerët rajonalë për të kontribuar në stabilitetin e rajonit, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese të mbrojtjes.
Edhe Greqia ka ndërmarrë hapa konkretë. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, gjatë një vizite në Nikosia, deklaroi se Athina do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Qipros “në çdo mënyrë”. Katër avionë luftarakë F-16 janë dërguar në ishull, ndërsa dy fregata greke – njëra e pajisur me sistemin kundër-dronë “Centauros”, i përdorur më parë kundër sulmeve të rebelëve Houthi në Detin e Kuq – janë në lëvizje drejt zonës.
Qipro, e cila ka kapacitete modeste mbrojtëse dhe nuk disponon forcë ajrore, është gjendur papritur në qendër të përshkallëzimit rajonal pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit. Mbështetja e koordinuar e Britanisë, Francës dhe Greqisë sinjalizon një përpjekje të qartë për të parandaluar zgjerimin e konfliktit dhe për të forcuar mburojën mbrojtëse në Mesdheun Lindor.