Macron: Sulmi ndaj Iranit jashtë të drejtës ndërkombëtare!
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën të shtunën dhe që sipas raportimeve çuan në vrasjen e liderit suprem të vendit, janë kryer “jashtë së drejtës ndërkombëtare” dhe se Parisi “nuk mund t’i miratojë ato”.
Megjithëse gjatë një fjalimi në televizionin kombëtar të martën në mbrëmje Macron e fajësoi drejtpërdrejt Iranin për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, kritikat e tij mund të krijojnë tensione me Uashingtonin.
Vendimi i kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez për ta cilësuar publikisht luftën si të paligjshme dhe për të ndaluar përdorimin e bazave spanjolle nga avionët amerikanë për sulme ndaj Iranit e shtyu presidentin amerikan Donald Trump të kërcënojë me ndërprerje të tregtisë me Spanjën gjatë një konference për shtyp të martën.
Ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz nuk e mbrojti publikisht Sánchez gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë ku Trump bëri kërcënimin tregtar, Macron duket se po afrohet më shumë me qëndrimin e Spanjës për paligjshmërinë e luftës.
Megjithëse Trump ka deklaruar se beson se konflikti do të zgjasë vetëm disa ditë ose javë, Macron paralajmëroi se përplasja nuk ka një fund të dukshëm.
“Sulmet ka të ngjarë të vazhdojnë në ditët në vijim për të dobësuar Iranin dhe për të shkatërruar aftësinë e tij për kundërsulm. Dhe si përgjigje, sulmet iraniane në të gjithë rajonin pritet të vazhdojnë,” tha Macron.
Për të mbrojtur interesat franceze në Lindjen e Mesme, Macron njoftoi se aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle, e vetmja e këtij lloji që ka Franca, po dislokohet në Mesdhe së bashku me avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Ne do ta vazhdojmë këtë përpjekje për aq kohë sa të jetë e nevojshme,” tha ai.
Macron konfirmoi gjithashtu se Franca ka dërguar sisteme kundërraketë në Qipro, siç ishte raportuar më herët.
“Qiproja, një shtet anëtar i BE-së, një vend me të cilin kemi një partneritet strategjik … kërkon mbështetjen tonë,” tha ai.
Macron theksoi se “kredibiliteti” i Francës është në lojë dhe se Parisi duhet të respektojë marrëveshjet e mbrojtjes me aleatë si Katari, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të dislokuar rreth 800 ushtarë francezë.
Dronë iranianë goditën të dielën një bazë detare franceze në Emiratet e Bashkuara Arabe, megjithëse nuk pati të lënduar.
Ministri francez i Punëve të Jashtme Jean-Noël Barrot tha të martën se avionët luftarakë francezë kanë fluturuar mbi Emiratet gjatë fundjavës në kuadër të operacioneve për sigurinë e hapësirës ajrore./Politico.eu