Lidhje


Zelensky: Negociatat e paqes Ukrainë–Rusi janë pezull për shkak të konfliktit në Iran

 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë janë aktualisht të pezulluara për shkak të konfliktit në Iran.

 

Në një deklaratë video të publikuar në Telegram, Zelensky tha se Kievi është i gatshëm të rifillojë negociatat sapo kushtet ta lejojnë.

 

“Tani për tani, për shkak të situatës me Iranin, sinjalet e nevojshme për një takim trepalësh nuk kanë ardhur ende. Por sapo situata e sigurisë dhe konteksti më i gjerë politik të na lejojnë të rifillojmë punën diplomatike trepalëshe, kjo do të ndodhë. Ukraina është e gatshme për këtë,” u shpreh ai.

 

Zelensky falënderoi gjithashtu shërbimin e inteligjencës së Ukrainës, zyrën presidenciale dhe institucionet e tjera që po punojnë për organizimin e shkëmbimeve të reja të të burgosurve të luftës.

 

“Po punojmë për të sjellë në shtëpi të gjithë njerëzit tanë që mbahen robër nga Rusia. Shpresojmë për lajme të mira,” tha ai.

 

Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar këtë vit tre raunde bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga SHBA – dy në Abu Dhabi dhe një në Gjenevë.

 

Javën e kaluar, Zelensky kishte lënë të kuptohej se raundi i radhës mund të zhvillohej në fillim të marsit, sërish në Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, sulmi i papritur i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt prishi shumë nga këto plane./AA

XS
SM
MD
LG