Lidhje


Putin paralajmëron: Rusia mund të ndërpresë energjinë për Evropën dhe ta dërgojë në Azi

 

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të mërkurën se do t’i kërkojë qeverisë ruse të shqyrtojë mundësinë e ndalimit të furnizimit me energji për Evropën dhe ridrejtimin e këtyre burimeve drejt tregjeve aziatike.

 

Në një intervistë për transmetuesin shtetëror rus VGTRK në Moskë, Putin theksoi se vetë Evropa po planifikon të heqë dorë plotësisht nga energjia ruse.

 

“Ata ende, siç u tha, po planifikojnë të vendosin kufizime për blerjen e gazit rus, përfshirë gazin natyror të lëngshëm, brenda një muaji, me afatin e fundit më 24, duke filluar nga data 25. Dhe brenda një viti, në vitin 2027, parashikohen kufizime të mëtejshme deri në një ndalim të plotë,” tha Putin.

 

Ai shtoi se ndërkohë po hapen tregje të tjera për energjinë ruse dhe se mund të jetë më e leverdishme që Rusia të ndalojë furnizimin për tregun evropian dhe të fokusohet te këto tregje të reja.

 

“Por tani po hapen tregje të tjera dhe ndoshta do të ishte më e favorshme për ne të ndalonim furnizimet për tregun evropian që tani dhe të kalonim drejt këtyre tregjeve që po hapen, për t’u vendosur atje,” u shpreh ai.

 

Putin theksoi se propozimi i tij nuk ka “asnjë nëntekst politik”.

 

“Në këtë rast, po themi, thjesht po mendoj me zë të lartë. Por do t’i jap patjetër udhëzim qeverisë që të punojë për këtë çështje së bashku me kompanitë tona,” tha ai.

 

Presidenti rus shtoi se Rusia ka qenë gjithmonë dhe mbetet “një furnizues i besueshëm i burimeve energjetike për të gjithë partnerët tanë, përfshirë edhe ata evropianë”.

 

Ai theksoi se Rusia do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët që mbeten të besueshëm, duke përmendur vende të Evropës Lindore si Sllovakia dhe Hungaria.

 

Sipas Putinit, kriza aktuale energjetike është shkaktuar nga “politikat e gabuara të autoriteteve evropiane në sektorin e energjisë, abuzimi me agjendën e gjelbër dhe sanksionet kundër Rusisë”.

 

Ai theksoi se Rusia nuk i ka ndërprerë furnizimet, por çmimet janë rritur për shkak të situatës në tregjet globale.

 

“Pse? Sepse kjo lidhet me situatën e përgjithshme në tregjet botërore, përfshirë tregjet e naftës dhe në këtë rast të gazit. Sepse janë shfaqur klientë që janë të gatshëm të blejnë të njëjtin gaz natyror me çmime më të larta, edhe për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe faktorëve të tjerë,” tha ai, duke iu referuar zhvillimeve të lidhura me ofensivën e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

 

Putin shtoi se në një situatë të tillë, furnizues të mëdhenj – përfshirë kompani amerikane – mund të zhvendosin furnizimet nga Evropa drejt tregjeve ku paguhet më shumë.

 

Ai e cilësoi gjithashtu si “akt terrorist” sulmin e së martës ndaj një cisternë ruse të gazit në Detin Mesdhe, duke thënë se incidente të tilla ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve.

 

Sipas Ministrisë ruse të Transportit, një anije ruse që transportonte gaz natyror të lëngshëm u sulmua pranë ujërave territoriale të Maltës nga mjete detare pa pilot ukrainase.

 

“Rezulton se regjimi i Kievit në fakt po kafshon dorën që e ushqen, domethënë dorën e Bashkimit Evropian. BE-ja i jep ndihmë të pafund regjimit të Kievit – me armë dhe para – ndërsa regjimi i Kievit krijon një problem pas tjetrit për BE-në,” tha ai.

 

Putin pretendoi gjithashtu se Ukraina, me mbështetjen e disa shërbimeve speciale perëndimore, po përgatit një sulm ndaj tubacioneve Blue Stream dhe TurkStream.

 

“Ne i kemi informuar tashmë miqtë tanë turq për këtë çështje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në këtë drejtim, por kjo është një lojë shumë e rrezikshme, sidomos në rrethanat e sotme,” përfundoi ai./AA

XS
SM
MD
LG