Miliarderi i shkruan Trumpit: Kush të dha të drejtën ta kthesh rajonin tonë në fushë beteje?
Miliarderi i njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khalaf Ahmad Al Habtoor, ka publikuar një letër të hapur drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, ku kritikon ashpër përfshirjen ushtarake të SHBA-së në konfliktin me Iranin dhe paralajmëron për rrezikun që i kanoset rajonit të Gjirit.
Në mesazhin e tij, të publikuar në rrjetet sociale dhe të cituar nga disa media ndërkombëtare dhe rajonale, Al Habtoor shtron një pyetje të drejtpërdrejtë për presidentin amerikan:
“Kush të dha autoritetin të tërheqësh rajonin tonë në një luftë me Iranin? Kush të dha leje ta kthesh rajonin tonë në një fushë beteje?”
Biznesmeni nga Emiratet, një nga figurat më të njohura të sektorit privat në Gjirin Persik dhe themelues i Al Habtoor Group, paralajmëron se vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) mund të përballen me pasoja të rënda nga përshkallëzimi ushtarak.
Në letër, ai pyet gjithashtu nëse vendimi për sulmet ndaj Iranit ishte një vendim i pavarur i Trump apo rezultat i presionit nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
“A ishte ky vendimi yt apo rezultat i presionit nga Benjamin Netanyahu? A i llogarite dëmet kolaterale para se të urdhëroje sulmet?” shkruan ai.
Al Habtoor argumenton se vendet e Gjirit nuk e kanë zgjedhur këtë konflikt dhe se rajoni është vënë në një rrezik të madh sigurie.
“Ti i vendose vendet e GCC në qendër të një rreziku që ato nuk e zgjodhën,” thekson ai.
Në letrën e tij, biznesmeni kritikon edhe premtimet e mëparshme të Trump për një politikë të jashtme që do të shmangte luftërat, duke argumentuar se operacionet ushtarake amerikane janë shtrirë në disa rajone të botës.
Ai gjithashtu vë në dyshim iniciativat e shpallura më herët për paqe në rajon, duke shkruar:
“Para se të thahej boja mbi iniciativën tënde ‘Board of Peace’, ne tashmë po përballemi me një përshkallëzim ushtarak që rrezikon gjithë rajonin.”
Në fund të letrës së tij, Al Habtoor thekson se lidershipi i vërtetë nuk matet me vendime për luftë.
“Lidershipi i vërtetë nuk matet nga vendimet për luftë, por nga mençuria, respekti për të tjerët dhe përpjekja për të arritur paqen.”
Deklarata e tij shihet nga analistët si një sinjal i pakënaqësisë që po shfaqet në disa qarqe të elitave ekonomike të Gjirit ndaj përshkallëzimit të konfliktit në rajon dhe rrezikut që ai paraqet për stabilitetin e Lindjes së Mesme.
