Lidhje


Rusia paralajmëron qytetarët: Mos udhëtoni në Kosovë, rrezik pasigurie!

 

Ministria e Jashtme e Rusisë u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që të shmangin udhëtimet drejt Kosovës, duke paralajmëruar për rreziqe të larta sigurie.

 

Zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova, deklaroi se Moska rekomandon fuqishëm që shtetasit rusë të mos vizitojnë Kosovën dhe të zgjedhin rrugë alternative kur planifikojnë udhëtime në rajonin e Ballkanit.

 

“Për shkak të rreziqeve të larta, sërish rekomandojmë fuqishëm që qytetarët rusë të shmangin vizitat në Kosovë dhe të zgjedhin rrugë alternative kur planifikojnë udhëtime brenda rajonit të Ballkanit”, tha Zakharova.

 

Ajo përmendi si shembull arrestimin e një shtetasi rus dhe dy shtetasve bjellorusë për kalim të paautorizuar të kufirit, duke shtuar se Zyra ndërlidhëse e Rusisë në Kosovë ka kërkuar qasje tek të arrestuarit.

 

Sipas raportimeve, rasti lidhet me një operacion të Policisë së Kosovës në fshatin Arllat të Drenasit, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë. Njësitë policore ndaluan një automjet me targa të Shqipërisë që drejtohej nga një shtetas shqiptar.

 

Gjatë kontrollit të automjetit u konstatuan edhe tre persona të tjerë: dy shtetas të Bjellorusisë dhe një shtetas i Rusisë. Hetimet fillestare tregojnë se ata dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Shqipëria në Kosovë.

 

Të katër personat janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme ligjore.

XS
SM
MD
LG