Lidhje


Raporti alarmues: Irani përgatitet për luftë civile ndërsa sulmet e SHBA dhe Izraelit vazhdojnë

 

Ndërsa sulmet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit po vazhdojnë dhe konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet, udhëheqja politike dhe ushtarake iraniane po përgatitet për mundësinë e një lufte civile brenda vendit, sipas një raporti të publikuar nga portali Middle East Eye.

 

Duke cituar burime brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), raporti thotë se përgatitjet për këtë skenar kanë nisur menjëherë pas luftës 12-ditore të vitit të kaluar mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së, kur drejtuesit e sigurisë iraniane arritën në përfundimin se një konflikt tjetër ishte shumë i mundshëm dhe se kundërshtarët mund të përpiqeshin të destabilizonin vendin nga brenda.

 

Sipas burimeve, një nga vendimet kryesore të marra pas asaj lufte ishte decentralizimi i komandës ushtarake, duke i dhënë ushtrisë dhe Gardës Revolucionare kompetenca më të gjera për të vepruar në mënyrë të pavarur në disa rajone të ndjeshme të vendit, në rast se komunikimi me komandën qendrore do të ndërpritej gjatë një konflikti.

 

Në kuadër të kësaj strategjie janë krijuar qendra të pavarura komandimi dhe janë dislokuar më shumë forca tokësore në rajone që konsiderohen të rrezikuara nga destabilizimi i brendshëm.

 

Raporti thekson se autoritetet iraniane janë veçanërisht të shqetësuara për rajonet kurde në perëndim dhe veriperëndim të vendit, pasi Teherani beson se grupe të armatosura kurde me bazë në Kurdistanin irakian mund të përpiqen të sulmojnë Iranin me mbështetjen e SHBA-së dhe Izraelit.

Frika e regjimit është shtuar edhe më shumë pasi pesë grupe të armatosura kurde iraniane në Irak kanë shpallur krijimin e një aleance strategjike dhe gatishmërinë për të luftuar kundër establishmentit iranian. Kësaj aleance iu bashkua së fundmi edhe Partia Komala e Iranit.

Sipas analizës së Middle East Eye, një pjesë e madhe e sulmeve të fundit amerikane dhe izraelite është përqendruar pikërisht në qytetet kurde të Iranit, si Marivan, Sanandaj, Saqqez, Baneh, Sarvabad dhe Kermanshah.

Goditjet kanë prekur jo vetëm bazat e Gardës Revolucionare dhe të ushtrisë, por edhe infrastrukturë të policisë, bashki, poste kufitare dhe qendra komanduese të rojeve kufitare.

Raporti thekson se shqetësime të ngjashme ekzistojnë edhe në rajone të tjera të vendit, përfshirë provincën e pasur me naftë Khuzestan në jugperëndim, ku veprojnë grupe separatiste arabe, si dhe provincën Sistan dhe Baluchestan në juglindje, një zonë e paqëndrueshme ku veprojnë grupe të armatosura dhe rrjete të trafikut të drogës.

Burimet nga Garda Revolucionare thonë gjithashtu se reagimi i shpejtë i Iranit ndaj sulmeve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit ishte rezultat i kësaj strategjie të re ushtarake. Vetëm rreth një orë pas fillimit të sulmeve, Irani nisi kundërsulme me raketa ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në vendet arabe të Gjirit, një reagim shumë më i shpejtë se në konfliktin e mëparshëm, kur përgjigjja kishte marrë rreth 12 orë.

Sipas autoriteteve iraniane, të paktën 1,230 persona janë vrarë nga sulmet amerikano-izraelite në territorin e Iranit.

Një element tjetër i rëndësishëm i strategjisë së sigurisë është aktivizimi i forcave paramilitare Basij, të cilat sipas autoriteteve iraniane kanë më shumë se 19 milionë anëtarë, nga të cilët rreth një milion konsiderohen aktivë.

Këto njësi janë përgatitur për luftë urbane, ndërsa në shumë qytete iraniane janë ngritur tashmë pika kontrolli të drejtuara nga anëtarë të Basij, të cilët operojnë shpesh me armë automatike dhe me rroba civile.

Raporti përmend edhe një mesazh të publikuar në ditën e dytë të luftës nga Hassan Khomeini, nipi i themeluesit të Republikës Islamike, i cili u bëri thirrje mbështetësve të regjimit të mobilizohen dhe të jenë të pranishëm në xhami dhe në sheshet e qyteteve.

Sipas analizës së Middle East Eye, vendosja e forcave ushtarake në rajone të ndjeshme, krijimi i komandave të pavarura dhe aktivizimi i milicive Basij tregojnë se autoritetet iraniane po përgatiten jo vetëm për përballje të jashtme me SHBA-në dhe Izraelin, por edhe për mundësinë e trazirave apo përplasjesh të armatosura brenda vendit nëse konflikti përshkallëzohet më tej.

XS
SM
MD
LG