Izraeli po shuan një brez: 83 fëmijë të vrarë në Liban dhe qindra mijëra të dëbuar nga shtëpitë
Dhjetë ditë pas nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, pasojat humanitare po rëndojnë veçanërisht mbi fëmijët. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, 83 fëmijë janë vrarë dhe 254 janë plagosur nga sulmet ajrore në vend. Në të gjithë rajonin, organizatat humanitare raportojnë se gati 300 fëmijë kanë humbur jetën që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit.
Ndërkohë, kriza e zhvendosjes po përkeqësohet. Sipas Ministrisë së Çështjeve Sociale, më shumë se 700 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Liban, mes tyre mbi 200 mijë fëmijë.
Organizata Save the Children ka bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, duke theksuar se fëmijët po paguajnë çmimin më të rëndë të konfliktit. Organizata po shpërndan ndihma emergjente për familjet e zhvendosura, përfshirë batanije, pajisje higjiene dhe furnizime për foshnja.