Lidhje


Paralajmërim brutal nga Teherani: pasuritë e bashkëpunëtorëve me SHBA-Izraelin do konfiskohen

 

Irani do të konfiskojë pasuritë e shtetasve iranianë jashtë vendit që rezultojnë “fajtorë për bashkëpunim” me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, në mes të luftës së nisur nga Uashingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit. Kështu njoftoi Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Iranit.

 

Në një deklaratë të publikuar të dielën, kjo zyrë iu referua një ligji të miratuar në tetor të vitit të kaluar, sipas të cilit çdo bashkëpunim me Izraelin, SHBA-në “ose shtete apo grupe të tjera armiqësore” i nënshtrohet konfiskimit të plotë të pasurisë dhe dënimeve të tjera ligjore në përputhje me Kodit Penal Islamik, raportoi Press TV.

 

“Çdo veprim operacional në emër të regjimit sionist (izraelit) ose të qeverive armiqësore, përfshirë qeverinë e SHBA-së apo regjime dhe grupe të tjera armiqësore, ose në emër të elementëve të lidhur me to, kundër sigurisë së vendit, sjell konfiskimin e të gjitha pasurive”, citohet të thotë ligji, sipas Press TV. Dispozita parashikon gjithashtu dënime të rënda, deri në dënimin me vdekje, në përputhje me nenin 19 të Kodit Penal Islamik, miratuar më 21 prill 2013 dhe të ndryshuar më pas.

 

Sipas autoriteteve iraniane, që nga 28 shkurti, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët kundër Iranit, më shumë se 1.200 persona janë vrarë, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei, ndërsa mbi 10.000 të tjerë janë plagosur.

 

Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që synuan Izraelin dhe disa vende të Gjirit ku ndodhen baza ushtarake amerikane.

 

Ndërkohë, Asambleja e Ekspertëve në Iran zgjodhi të dielën Mojtaba Khamenei, djalin e Ali Khameneit, si udhëheqësin e ri suprem të vendit.

XS
SM
MD
LG