Evropa kundër luftës - Sondazhet: Shumica e qytetarëve refuzojnë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit!
Sondazhe të fundit të opinionit publik në disa vende të Evropës treguan të premten se një pjesë e madhe e qytetarëve kundërshton sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Sipas anketimeve të zhvilluara në Spanjë, Itali, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, shumica e të anketuarve në këto vende refuzojnë ndërhyrjen ushtarake dhe mbështesin qëndrime të kujdesshme ose neutrale nga qeveritë e tyre.
Spanja
Në Spanjë, një sondazh i shpejtë i realizuar nga kompania kërkimore me bazë në Madrid 40dB, për gazetën El Pais dhe radion Cadena SER, tregoi se rreth 68% e të anketuarve kundërshtojnë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Sondazhi gjithashtu tregoi se 57% mbështesin vendimin e Spanjës për të mos ofruar mbështetje ushtarake për SHBA-në dhe Izraelin, ndërsa 53% besojnë se SHBA-së nuk duhet t’i lejohet përdorimi i bazave ushtarake në Spanjë për operacione që lidhen me konfliktin.
Rreth 42% e të anketuarve thanë se miratojnë mënyrën se si kryeministri Pedro Sánchez po e menaxhon krizën, ndërsa gati 80% deklaruan se po i ndjekin nga afër zhvillimet dhe se ndjenja më e përhapur që kanë për konfliktin është shqetësimi.
Italia
Një prirje e ngjashme u shfaq edhe në Itali, sipas një sondazhi të realizuar nga kompania kërkimore me bazë në Romë YouTrend, për televizionin Sky TG24.
Sondazhi tregoi se 56% e të anketuarve kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Mbështetja për sulmet është më e lartë tek votuesit e qendrës së djathtë, ku 57% e tyre e mbështesin ndërhyrjen, ndërsa 79% e votuesve të qendrës së majtë e kundërshtojnë.
Rreth 48% e të anketuarve besojnë se qeveria italiane duhet të mbetet neutrale dhe të veprojë si ndërmjetëse mes palëve, ndërsa 29% mendojnë se qeveria duhet të dënojë sulmet dhe të kërkojë menjëherë armëpushim.
Gjermania
Në Gjermani, një sondazh i ri i opinionit publik i publikuar nga transmetuesi publik ARD tregon gjithashtu një nivel të ulët besimi ndaj SHBA-së dhe Izraelit.
Sipas sondazhit, 58% e të anketuarve besojnë se lufta e zhvilluar nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit nuk është e justifikuar.
Rreth 75% thanë se janë të shqetësuar që konflikti mund të përhapet edhe në vende të tjera, ndërsa besimi ndaj SHBA-së ka rënë në vetëm 15%, niveli më i ulët në 20 vitet e fundit.
Sondazhi tregoi gjithashtu se vetëm 17% e të anketuarve e konsiderojnë Izraelin një partner të besueshëm, ndërsa 85% besojnë se politika globale po dominohet gjithnjë e më shumë nga një sistem ku “forca bën të drejtën”.
Mbretëria e Bashkuar
Në Mbretërinë e Bashkuar, sondazhet e realizuara nga kompania londineze e kërkimit dhe analizës së të dhënave YouGov tregojnë një mbështetje të kufizuar të publikut për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.
Një sondazh i zhvilluar më 2 mars, pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit, tregoi se 49% e britanikëve kundërshtojnë sulmet, ndërsa 28% i mbështesin ato.
Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kundërshton gjithashtu përdorimin e bazave të Forcave Ajrore Mbretërore në Britani për sulmet amerikane kundër Iranit.
Një studim i kryer në fund të shkurtit tregoi se 58% ishin kundër një përdorimi të tillë, dhe edhe kur në sondazhin e 2 marsit u shtua kushti që operacionet të ishin “të kufizuara vetëm ndaj objektivave raketorë”, kundërshtimi mbeti 50%.
Hulumtimi gjithashtu zbuloi se 45% e britanikëve besojnë se qeveria nuk duhet as t’i lavdërojë dhe as t’i dënojë sulmet amerikane ndaj Iranit.
Ndërkohë, 47% e të anketuarve thanë se kryeministri Keir Starmer e ka menaxhuar dobët tensionin SHBA-Iran, ndërsa 34% mendojnë se ai e ka trajtuar situatën mirë.
Përshkallëzimi i konfliktit
Tensionet rajonale u përshkallëzuan pas nisjes më 28 shkurt të sulmeve ajrore të përbashkëta SHBA-Izrael kundër Iranit, të cilat kanë shkaktuar më shumë se 1.000 viktima, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Konflikti ka shkaktuar paqëndrueshmëri të gjerë në rajon dhe sulme hakmarrëse nga Teherani kundër objekteve të lidhura me SHBA-në në të gjithë rajonin.
Shkrimi: Merve Berker