“Masakra e 175 vajzave në Iran” – Meloni shpërthen kundër Trump: ‘Jashtë çdo ligji ndërkombëtar!’
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi të mërkurën sulmet ndaj një shkolle fillore në Iran, ndërsa po rritet pakënaqësia e liderëve evropianë lidhur me operacionet ushtarake të përbashkëta SHBA–Izrael në territorin iranian.
Në një fjalim para Parlamentit të vendit në Romë, Meloni deklaroi se sulmi binte “jashtë kuadrit të së drejtës ndërkombëtare”.
“Shpreh dënimin tim të fortë për masakrën e vajzave të vogla që ndodhi në shkollën Minab në jug të Iranit, solidaritetin me familjet e viktimave të reja dhe kërkoj që përgjegjësitë për këtë tragjedi të përcaktohen sa më shpejt,” tha liderja italiane, sipas përkthimit të deklaratës së saj të publikuar nga Clash Report.
Një hetim paraprak ushtarak zbuloi se goditja me raketë ndaj një shkolle fillore vetëm për vajza në Teheran, më 28 shkurt, vrau 175 persona dhe ishte rezultat i një gabimi në përcaktimin e objektivit nga ushtria amerikane, u thanë zyrtarë të njohur me gjetjet gazetës The New York Times.
Pentagoni refuzoi të komentojë mbi këtë raport dhe i tha të mërkurën gazetës The Hill se incidenti është ende nën hetim.
Presidenti Donald Trump, i cili më herët ia kishte atribuar sulmin regjimit iranian, u tha gazetarëve të mërkurën se nuk ishte në dijeni të raportimeve që sugjerojnë se SHBA mund të ketë qenë pas këtij sulmi vdekjeprurës.
Meloni i bashkohet disa liderëve të tjerë evropianë në kritikën ndaj këtyre sulmeve, ndërsa konflikti ka hyrë në javën e tij të dytë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të martën se duket se “nuk ka një plan të përbashkët për ta përfunduar këtë luftë në mënyrë të shpejtë dhe bindëse”.
Merz më herët iu bashkua liderëve të Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar duke nënshkruar një letër të përbashkët ku i bëhej thirrje SHBA-së dhe Iranit të ndalin operacionet ushtarake dhe të rikthehen në tryezën e negociatave.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez është bërë një nga kritikët më të zëshëm të sulmeve në Lindjen e Mesme, duke kundërshtuar edhe kërcënimet e Trump për “ndërprerjen e të gjithë tregtisë me Spanjën”.
Në një fjalim televiziv javën e kaluar, Sánchez deklaroi: “Ne nuk do të bëhemi bashkëfajtorë në diçka që është e keqe për botën dhe që bie ndesh me vlerat dhe interesat tona, vetëm nga frika e hakmarrjes së dikujt.”