SHBA përsërit "mbështetjen e plotë" për NATO-n
SHBA ka përsëritur mbështetjen e plotë për NATO-n, teksa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin, zhvilloi një bisedë telefonike me shefin e aleancës, Jens Stoltenberg, përpara Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që mbahet sot në Bruksel, transmeton Anadolu. "Ata diskutuan rezultatet pozitive në lidhje me takimin e sotëm virtual të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, rolin kritik që luan NATO në garantimin e sigurisë transatlantike dhe shqyrtuan prioritetet për Samitin e ardhshëm Ministror të NATO-s në Washington", thuhet në një njoftim të Pentagonit.
Gjithashtu theksohet se Austin ritheksoi mbështetjen e plotë të SHBA-së për Aleancën e NATO-s dhe theksoi rëndësinë e rritjes së "parandalimit dhe mbrojtjes kolektive" të saj, e cila përfshin investimet në bazat industriale të mbrojtjes së aleatëve.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e NATO-s në skenën globale, duke thënë se aleatët "kanë qenë gjithmonë në gjendje të bashkohen rreth detyrës thelbësore: Të mbrojmë njëri-tjetrin dhe t'i mbajmë njerëzit tanë të sigurt".
“Bashkëbiseduesit ranë dakord që aleatët e Amerikës janë një shumëfishues i fuqishëm i forcës dhe kur NATO flet si një, kundërshtarët tanë dëgjojnë”, thuhet në njoftim.
Austin nuk merr pjesë në takimin e NATO-s për arsye shëndetësore, ndërsa ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, do të përfaqësojë Sekretarin e Mbrojtjes.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, shpenzimet e NATO-s, përparimi në përmbushjen e qëllimeve të samitit të Vilnius dhe përgatitjet për Samitin e Washingtonit, që pritet të mbahet këtë verë, janë në krye të agjendës së NATO-s./Nga AA