Kërcënohet Victor Orban - Çfarë po ndodh me kryeministrin hungarez?
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka akuzuar ukrainasit se po komplotojnë një sulm ndaj familjes së tij, në një moment kur tensionet politike mes Budapestit dhe Kievit janë përshkallëzuar, vetëm disa javë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari.
Në një video të publikuar të mërkurën në mbrëmje, Orban shihet duke folur në telefon me vajzat e tij, duke iu referuar kërcënimeve që ai pretendon se vijnë nga Ukraina. “Jam i sigurt që do ta shihni në lajme se ukrainasit më kërcënuan jo vetëm mua, por edhe juve”, dëgjohet të thotë ai, ndërsa shton se situata duhet marrë seriozisht, por pa pasur frikë. Sipas raportimit të gazetës britanike The Guardian, deklarata e Orbanit ka të ngjarë t’i referohet komenteve të Hryhori Omelchenko, një ish-politikan ukrainas dhe ish-anëtar i shërbimit të sigurisë SBU në vitet ’90. Në një intervistë televizive, Omelchenko deklaroi se grupe qytetare mund ta shënjestronin kryeministrin hungarez nëse ai nuk ndryshon qëndrimin e tij ndaj Ukrainës.
Tensionet mes dy vendeve u rritën edhe pas një deklarate të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili duke iu referuar Orbanit tha se mund t’ua “jepte adresën e këtij personi forcave të armatosura ukrainase”. Sipas mediave ndërkombëtare, këto komente kanë shkaktuar shqetësim te disa aleatë evropianë, të cilët i kanë kërkuar Zelenskyt të zbusë retorikën.
Marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Ukrainës kanë qenë prej kohësh të tensionuara, ndërsa Orban konsiderohet si një nga liderët më pro-rusë brenda Bashkimit Evropian. Përplasja ka marrë edhe dimension politik të brendshëm, pasi sondazhet e fundit tregojnë se Orban ndodhet pas rivalit të tij kryesor, Péter Magyar, me diferencë deri në 20 pikë përqindjeje përpara zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm.
Përshkallëzimi i fundit nisi pasi Ukraina njoftoi se do të duheshin disa javë për të riparuar një tubacion nafte që transportonte naftë ruse drejt Hungarisë, i cili dyshohet se u dëmtua nga një sulm me dron rus. Në përgjigje, Orban vendosi veton ndaj paketave të reja të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, si dhe ndaj një kredie shtesë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Tensionet arritën kulmin të premten e kaluar, kur policia hungareze antiterroriste sekuestroi një konvoj me dy automjete të blinduara që i përkisnin bankës shtetërore ukrainase Oschadbank dhe arrestoi shtatë shtetas ukrainas që i shoqëronin ato, një veprim që shkaktoi reagime të forta në Kiev.