Media spanjolle: Maduro, në një qeli ‘vetëvrasëse’ 2 me 3, ai bërtet si i çmendur natën, unë jam Presidenti!
Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, po mbahet në izolim në një burg federal në Bruklin të Nju Jorkut, pasi u arrestua më 3 janar gjatë një operacioni amerikan dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara bashkë me bashkëshorten e tij, Cilia Flores. Sipas një raporti të gazetës spanjolle ABC, Maduro ndodhet në një qeli izolimi me përmasa rreth 2 me 3 metra, ku ka vetëm një krevat metalik, një tualet, një lavaman dhe një dritare të ngushtë nga e cila hyn shumë pak dritë natyrale.
Ai është vendosur në Njësinë Speciale të Strehimit, e njohur si SHU, e cila përdoret zakonisht për izolim disiplinor, për parandalimin e vetëvrasjeve ose për të mbajtur të burgosur që konsiderohen veçanërisht të rrezikshëm ose të cenueshëm. Në praktikë, sipas raportit, kjo nënkupton një izolim pothuajse të plotë. Të burgosurve u lejohet të dalin nga qelia vetëm tri herë në javë për rreth një orë, të shoqëruar nga dy roje dhe me pranga në duar. Gjatë kësaj kohe ata mund të bëjnë dush, të përdorin telefonin, të kontrollojnë email-in nën mbikëqyrje ose të dalin në një oborr të vogël të rrethuar me gardh.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, gjatë natës në burg dëgjohen shpesh thirrjet e Maduros. Ai raportohet të ketë bërtitur: “Unë jam presidenti i Venezuelës! Thuajini vendit tim se më kanë rrëmbyer dhe se po na keqtrajtojnë këtu”. Qendra Metropolitane e Paraburgimit në Bruklin strehon të pandehur që presin gjyqin ose vendimin përfundimtar dhe ka mbajtur më parë disa të burgosur me profil të lartë, mes tyre figura të njohura nga politika dhe bota e showbiz-it.
Sipas burimeve, izolimi i zgjatur i Maduros lidhet me masa të forta sigurie, pasi ai konsiderohet një nga të burgosurit me profilin më të lartë që ka kaluar ndonjëherë në këtë institucion. Burgu federal në Bruklin ka qenë shpesh objekt kritikash për kushtet e vështira, përfshirë mungesë stafi, probleme me ngrohjen në dimër dhe shërbime të kufizuara mjekësore./tpz