Lidhje


Izraeli i Netanyahut vret një prift katolik në jug të Libanit – Vjen reagimi nga Papa Leo XIV...

 

Një prift katolik maronit është vrarë në jug të Libanit gjatë një sulmi të lidhur me përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, raportojnë disa media ndërkombëtare.

 

Sipas raportimeve nga mediat rajonale dhe organizatat katolike, At Pierre al-Rahi, famullitar i kishës së Shën Gjergjit në fshatin Qlayaa, një zonë me shumicë të krishterë pranë kufirit me Izraelin, u plagos rëndë gjatë një bombardimi të artilerisë izraelite dhe më pas vdiq nga plagët.

 

Ngjarja ndodhi kur një tank izraelit goditi një shtëpi në periferi të fshatit. Pas goditjes së parë, prifti dhe disa banorë u afruan për të ndihmuar familjen e plagosur. Sipas raportimeve, një predhë e dytë goditi zonën, duke plagosur rëndë priftin dhe disa civilë të tjerë. Ai u dërgua drejt spitalit lokal, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

 

Autoritetet izraelite kanë deklaruar se objektivi i sulmit ishte një qelizë e Hezbollahut në zonë, ndërsa përfaqësues të komunitetit lokal kanë kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se fshati është një zonë civile dhe pa instalime ushtarake.

 

Vrasja e priftit ka shkaktuar reagime në qarqet fetare dhe humanitare. Papa Leo shprehu “dhimbje të thellë” për viktimat e bombardimeve në Lindjen e Mesme dhe për vdekjen e priftit që, sipas deklaratave, ishte duke ndihmuar besimtarët e tij në momentin e sulmit.

 

Fshati Qlayaa ndodhet në distriktin Marjayoun në jug të Libanit dhe është një nga zonat ku komuniteti i krishterë ka qëndruar në vendbanimet e tij pavarësisht përshkallëzimit të luftimeve në kufirin Izrael-Liban.

 

Ngjarja vjen në një moment kur përplasjet ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut janë intensifikuar, duke shkaktuar viktima dhe zhvendosje të mijëra civilëve në jug të Libanit.

XS
SM
MD
LG