“Do bëjmë atë që bëmë në Gaza!” – Izraeli paralajmëron ofensivë të madhe tokësore në Liban, mbi 800 mijë të zhvendosur
Izraeli po përgatit një zgjerim të madh të operacionit tokësor në Liban, me synimin për të marrë nën kontroll territorin në jug të lumit Litani dhe për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut, ndërsa luftimet mes dy palëve po përshkallëzohen dhe kriza humanitare në vend po thellohet me shpejtësi.
Sipas zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, vendimi për përshkallëzim erdhi pasi Hezbollah lëshoi më shumë se 200 raketa drejt veriut të Izraelit brenda më pak se 24 orësh, në një sulm që u konsiderua i koordinuar me Iranin. Një zyrtar i lartë izraelit deklaroi se ushtria është e gatshme të përdorë të njëjtën strategji si në luftën në Gaza.
“Do të bëjmë atë që bëmë në Gaza,” tha ai, duke iu referuar operacioneve ku ushtria izraelite goditi ndërtesa që sipas saj përdoreshin si depo armësh dhe baza për lëshimin e raketave.
Sipas raportimeve, që nga fillimi i luftës Izraeli ka vendosur tre brigada këmbësorie dhe të blinduara përgjatë kufirit verior, ndërsa disa njësi kanë kryer edhe inkursione të kufizuara në territorin libanez gjatë dy javëve të fundit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar gjithashtu se po përforcojnë trupat në veri dhe po mobilizojnë rezervistë, në përgatitje për një ofensivë të mundshme më të gjerë tokësore.
Objektivi i operacionit, sipas një zyrtari izraelit, është marrja nën kontroll e zonës në jug të Litani, shtyrja e forcave të Hezbollah drejt veriut dhe shkatërrimi i pozicioneve ushtarake dhe depozitave të armëve në fshatrat pranë kufirit.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump thuhet se mbështet një operacion izraelit për çarmatosjen e Hezbollahut, por i ka kërkuar Izraelit të kufizojë dëmet ndaj shtetit libanez dhe të shmangë goditjen e infrastrukturës kritike. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, Aeroporti Ndërkombëtar i Bejrutit është përjashtuar nga objektivat e mundshme të bombardimeve pas kërkesës së Uashingtonit. Megjithatë, ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz paralajmëroi se infrastruktura tjetër shtetërore mund të goditet.
“Kjo është vetëm fillimi. Ne do të godasim infrastrukturën kombëtare të Libanit,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, lideri i Hezbollahut Naim Qassem paralajmëroi se një pushtim tokësor do të përballet me rezistencë të fortë.
“Kur armiku kërcënon me pushtim tokësor, ne i themi se kjo nuk është një kërcënim, por një kurth ku do të bjerë vetë,” u shpreh ai.
Ndërkohë, situata humanitare në Liban po përkeqësohet me shpejtësi. Sipas autoriteteve libaneze dhe organizatave humanitare, më shumë se 800,000 njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në vetëm 10 ditë, ndërsa të paktën 773 persona kanë humbur jetën, përfshirë 103 fëmijë. Kjo do të thotë se rreth një në shtatë banorë të Libanit është zhvendosur, sipas Këshillit Norvegjez për Refugjatët.
Shumë familje kanë mbetur pa strehim. Disa janë vendosur në stadiumin më të madh të vendit në Bejrut, i kthyer në strehë emergjente ku qindra persona flenë në korridoret nën tribunat e stadiumit, me kushte minimale, pa dushe dhe me energji elektrike të ndërprerë shpesh. Të tjerë janë detyruar të flenë në rrugë, në makina ose në tenda të improvizuara pranë bregdetit.
Një nga të zhvendosurit, Fatima Nazha, e cila përdor karrocë invalidi, tregoi se familja e saj u detyrua të largohej nga periferia jugore e Bejrutit pas urdhrave të evakuimit të lëshuara nga Izraeli.
“Sulmet dikur godisnin një zonë të caktuar, por tani po godasin të gjitha zonat,” tha ajo.
Ndërkohë, tensionet brenda Libanit janë rritur, pasi një pjesë e popullsisë fajëson Hezbollahun për përfshirjen e vendit në konflikt. Pronat dhe hotelet kanë rritur çmimet nga frika e sulmeve, ndërsa disa ndërtesa janë goditur pasi Izraeli pretendoi se në to operonin anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane.
Në të njëjtën kohë, rreth 100,000 trupa izraelite janë grumbulluar përgjatë vijës blu, kufirit të mbikëqyrur nga OKB mes Izraelit dhe Libanit, në pritje të një pushtimi të mundshëm tokësor.